Kërkohet lirimi i babait të deputetit

Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar sot gjykatës kërkesën për lirimin e Bashkim Tahirit, babait të deputetit të PS-së Saimir Tahiri, i cili akuzohet për kontrabandë ilaçesh.
Gjithashtu Prokuroria kërkoi për bashkëpunëtorin Dritan Gjiza ‘arrest shtëpie”, ndërsa për Nadire Tagën kërkoi hetim në gjendej të lirë. Dosja me faktet rreth akuzës së kontrabandës së ilaçeve mbërriti sot në organin e akuzës.
Arrestimi i këtyre tre personave ndodhi mesditën e së hënës, ku policia njoftoi arrestimin e disa personave nën akuzën e kontrabandës, njëri prej të cilëve babai i deputetit socialist Saimir Tahiri.
Bashkim Tahiri u arrestua rreth orës 13:00 të së hënës, në afërsi të rrugës "Todi Shkurti" në Tiranë. Operacioni për kapjen e tij u kodua "Rispedal" dhe në pranga veç babait të deputetit socialist Saimir Tahiri, përfunduan edhe Dritan Gjiza e Nadire Taga.
Sipas policisë, tre të dyshuarit janë mbajtur nën përgjim për tre muaj me radhë, nga ku ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë mundësuar transportimin e medikamenteve, ku siguroheshin në mënyrë të jashtëligjshme në një qendër shëndetësore në Itali dhe shiteshin në Tiranë. Në momentin e arrestimit, sipas policisë tre të dyshuarit u kapën duke shkëmbyer medikamente me vlerë 10 mijë euro./Indeksonline/