E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet qeli për Ilir Metën!

Në seancën e sotme, Prokuroria mbylli dosjen hetimore ndaj Metës në lidhje me videon e transmetuar më 11 janar të vitit të shkuar, ku transmetohej biseda midis Metës dhe ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, për dhënien me koncesion të hidrocentraleve, nga ku do të merreshin shuma të mëdha.

Në seancën e sotme, Prokuroria kërkoi 2 vite burg dhe 1 milion lekë gjobë ndaj Metës, teksa do t’i duhet të paguaj edhe shpenzimet procedurale. Ish/zëvendësi i kryeministrit Sali Berisha, shpallet fajtor për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë të shtetit dhe për këtë arsye, kërkohen dy vite burg. Prokurori Bujar Sheshi, tha në seancë se videoja ishte origjinale, përkundër pretendimeve të avokatëve.

"Rezulton e provuar, që video është pranuar nga Gjykata e Lartë si provë në rrugë ligjore, pavarësisht se Kolegji Penal nuk e pranoi kërkesën e Prokurorisë ta dëgjonte në sallë dhe ta transkriptonte atë”, tha prokurori.

Ai shtoi se përmbajtja e videos mbështet plotësisht deklarimet e Priftit. "Interesimi i vazhdueshëm i të pandehurit Ilir Meta për fitimin e ankandit nga kompania e Bekim Halilajt vërtetohet jo vetëm nga dëshmia e Priftit, por edhe nga analiza e tabulateve telefonike mes Bekim Halilajt dhe Ilir Metës. Nga 1 shkurti 2010 deri ne 1 shkurt 2011, Bekim Halilaj ka folur me Ilir Meten në telefon 192 herë, ndërsa me Dritan Priftin, biznesmeni Halilaj gjatë të njëjtës periudhë ka folur vetëm 13 herë", vijoi Sheshi.

Gjithashtu, prokurori e konsideroi të pavlefshme dëshminë e biznesmenit Bekim Halilaj rreth ankandit të naftës bruto, i cili ka deklaruar më parë se Meta nuk kishte pasur asnjë ndikim.

Avokatët përballë!

Në seancën e sotme u dëgjuan edhe pretendimet e avokatëve mbi përmbajtjen e dosjes përfundimtare të Prokurorisë. Përfaqësuesi ligjor i Metës, Spartak Braho, hodhi poshtë pretendimet e organit të akuzës, duke i cilësuar si të pambështetura në prova.

“Prokuroria në kërkesën e saj sot, provoi edhe njëherë se mbeti në mjerim të thellë profesional dhe ligjor për argumentet dhe pseudoprovat ku ajo u mbështet. E shtrënguar nga mungesa e tyre, por edhe paaftësia ne pamë se si asaj, gjatë gjithë procesit gjyqësor iu rrëzuan të gjitha pseudo-argumentet, prej të cilave ajo u detyrua të hiqte dorë edhe vetë në procesin gjyqësor, duke para shembur kalanë prej rëre, të ndërtuar me pasion kriminal. Fatkeqësi për këtë institucion, i cili na u shfaq edhe njëherë si kollovar dhe shërbëtor i politikës së rrugës", tha ai.

Skandali i video-përgjimit Meta-Prifti

Mbrëmjen e 11 janarit të fillimit të vitit të shkuar në një emision televiziv u publikua një video përgjim midis zv/kryeministrit Ilir Meta dhe ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, i shkarkuar nga ky post pak javë më parë. Në video përfliten afera korruptive për dhënien e lejeve për hidrocentrale. Në video thuhet se Meta kërkoi 700 mijë euro.

Menjëherë pas publikimit, Meta u shpreh i gatshëm të linte imunitetin. Një ditë më vonë, Partia Demokratike në emër të kryeministrit, kërkoi nga Prokuroria nisjen e hetimeve për këtë qëllim. Tre ditë që kurse doli një video në media, numri dy i qeverisë së Shqipërisë, Ilir Meta, njëkohësisht edhe ministër i Jashtëm është detyruar të japë dorëheqjen e parevokueshme.

Pas publikimit të videos, opozita organizoi një demonstratë më 21 janar, që degjeneroi brenda pak momentesh në akte dhune midis demonstruesve dhe policisë. Demonstrata vazhdoi për më shumë se tre orë, ku rezultati atë ditë ishte tre të vdekur dhe dhjetëra të plagosur. I gjithë shteti u ngrit në këmbë për të ruajtur qetësinë publike. Mes të plagosur ishin edhe rreth 100 forca policie. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-01-06 15:45
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›