Kërkohet ruajtja e ambientit

Me moton “Ta mbajmë mjedisin pastër” dhe me aktivitete të shumta në sheshin “Nëna Terezë”, të dielën në organizim të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor u shënua Dita ndërkombëtare e mjedisit, me ç’rast u tha se të gjithë duhet të punojnë për ruajtjen e një ambienti më të pastër.
Shënimi i Ditës Botërore të Mjedisit është përcjellë me lojëra të ndryshme për fëmijë, performanca artistike, muzikë nga DJ, shpërndarje të materialeve dhe broshurave ndërgjegjësuese, si dhe aktivitete tjera edukative.
Drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, Ilir Morina tha se kjo ditë jep një mesazh për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit ku njeriu jeton edhe një lule e mbjellë e ka rëndësinë e saj në aspektin e ruajtjes së ambientit.
“Është një mesazh që e gjithë bota e feston dhe jep mesazh të mos shkurtohet jeta e këtij planeti, të mos shkurtohet biologjia, bukuria dhe harmonia dhe gjithë koloritin e jetës ta ruajmë, të ruajmë çdo kafshë, çdo bimë, të mbjellim nga një lule, sepse me të vërtetë nëse vazhdojmë kështu do të ketë ndryshime klimatike dhe ndryshime të temperaturave, nuk do të mund të jetojmë siç kemi jetuar dhe është me të vërtetë gjynah të shkatërrojmë një jetë kaq të bukur të cilën secili njeri dëshiron ta jetojë sa më gjatë”, theksoi ai.
Për më tepër, Morina tha se nuk po i kushtohet rëndësi ruajtjes së ambientit, pasi që projektet e hartuara kanë mbetur ende në letër, ndërsa për këtë fajësoi komunat.
“Kërkojmë nga udhëheqësit e komunave që secili të na jep shembull për komunën e vet dhe të bëjë shumë më shumë, të ruaj atë pjesë të lumit që i takon në regjionin ose komunën e vet, ato rrugë t’i mbajë të pastra të ndërtojë në mënyrë të planifikuar dhe atë ndërtim ta bëjë në mënyrë cilësore, sepse me të vërtetë shëndeti i popullatës është duke u rrezikuar nga një infrastrukturë e dobët, nga automjete të cilat janë të vjetra dhe lirojnë gazra të mëdha”, theksoi ai.
Por, derisa kreu i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, e cila funksionon që 5 vjet, kërkoi që të bëhet më shumë për ruajtjen e ambientit, i pari i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Dardan Gashi nuk ishte i pranishëm në këtë manifestim, me gjithë paralajmërimin se edhe ati do të ishte aty. Për mospjesëmarrjen e ministrit Gashi askush nga zyrtarët e pranishëm nuk dha ndonjë sqarim.
Dita botërore për mbrojtjen e mjedisit shënohet që nga viti 1982 dhe ka për qëllim sensibilizimin e opinionit për mbrojtjen e pyjeve, biodiversitetin e jetës në tokë, si dhe rëndësinë e tyre për ruajtjen e klimës. /kosovapress/