E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkurrencë mes partive opozitare

Nga Express më 05 qershor 2011 në ora 17:03

Të bërit opozitë nuk nënkupton vetëm të bërit zhurmë. Kështu e përkufizon shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, funksionimin e një pjese të opozitës, të cilës megjithatë, nuk dëshiron t’i adresohet në mënyrë direkte. Me hyrjen e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, të bërit opozitë ka ndryshuar, por po ashtu është rritur edhe konkurrenca jo vetëm pozitë-opozitë, por edhe brenda vetë opozitës.

Lëvizja Vetëvendosje si partia e tretë në Kuvendin e Kosovës, është cilësuar si partia më aktive opozitare, megjithatë Ismet Beqiri mendon se LDK-ja është opozita e parë, jo vetëm për nga numrat, por edhe për nga përmbajtja dhe paraqitja e qëndrimeve politike gjatë kësaj kohe.

Duke thënë se LDK-ja është parti institucionaliste, Beqiri rikujton ngritjen e çështjes së ish presidentit Pacolli në Gjykatën Kushtetuese dhe qëndrimet e LDK-së rreth bisedimeve dhe rreth privatizimit të PTK-së, duke thënë se LDK-ja nuk është kundër bisedimeve dhe kundër privatizimit, por është për transparencë, e cila sipas tij, ka munguar në rastet konkrete.

“Të bërit opozitë nuk nënkupton vetëm të bërit zhurmë, ngritjen e zërit, por është shumë e rëndësishme normalisht edhe të diskutohet edhe të debatohet, por edhe të dihet se çka po thuhet. Absolutisht nuk adresoj në dikë tjetër. Çështja e vlerësimeve, e opinioneve, edhe të ashtuquajtura sondazhe, është shumë e qartë se bëhen nga individë edhe nga qarqe të caktuara, të interesave ndoshta edhe momentale, por sigurisht n bashkëpunojmë edhe me AAK-në edhe me Vetëvendosjen për ndonjë çështje madhore. Sigurisht ne e kemi këtë gatishmëri. Por duhet pasur një gjë të qartë, nuk ka opozitë siç thuhet një zë, unike. Ne jemi tri parti që megjithatë dallojmë edhe për nga programi edhe nga platforma. Me dikë kemi më shumë ngjashmëri me dikë jo”, ka thënë Beqiri.

Por Visar Ymeri, shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, konsideron se prej se është themeluar, Vetëvendosja ka qenë opozita e vetme në Kosovë për shkak se ka qenë opozitë ndaj proceseve politike të cilat i janë imponuar Kosovës dhe jo vetëm ndaj njerëzve të cilët i kanë udhëhequr ato procese politike.

“Konsideroj që kjo e bënë Lëvizjen Vetëvendosje si thelbësore në skenën politike të Kosovës krahasuar me të gjitha partitë tjera të cilat janë opozitë, nganjëherë e aspekteve të ndryshme teknike të qeverisjes dhe nganjëherë e aspekteve procedurale të udhëheqjes së punës në Kuvend e shumë shpesh edhe të njerëzve të cilët i udhëheqin këto procese. Ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje kundërshtimin e vetë e ka pasur përherë thelbësor dhe parimor e ky kundërshtim ka qenë kundër negociatave me Serbinë të cilat po vazhdojnë edhe në këto kohë që po flasim, përkundër privatizimit dhe nëpërkëmbjes që i është bërë potencialit ekonomik të Kosovës dhe pasurisë kombëtare të Kosovës”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila gjatë mandatit të kaluar kishte një rol më kyç si parti opozitare, gjatë këtij mandati ka mbetur nën hije.

Këtë, deputeti Ahmet Isufi e arsyeton me faktin se tani ka një opozitë më të fortë dhe ka konkurrencë brenda vetë opozitës.

“Tani kemi një opozitë shumë të fortë në krahasim me pozitën e cila ka numër më të vogël të votave, dhe normalisht këtu ka konkurrencë më të madhe brenda opozitës, por po ashtu vërehet se ajo themelorja që është se i mungon Ramush Haradinaj opozitës, në këtë rast Aleancës, për të iniciuar çështje, të cilat duan vizion, duan guxim dhe duan gatishmëri për t’u ballafaquar me problemet që ekzistojnë. Këto ndikojnë që në Kuvendin e Kosovës, Aleanca të mbajë kursin e vazhdueshëm që ka pasur, megjithatë ka dallime nga mandati i kaluar”, ka thënë Isufi.

Sidoqoftë, opozitën e fortë e vlerëson edhe pozita, e cila konsideron se kur ka opozitë të fortë, edhe pozita bën punë më të mirë, ngase e ka dikë që e korrigjon dhe e gjykon.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani thekson se opozita e fortë krijon balancin e domosdoshëm politik.

“Në Kuvendin e Kosovës gjuha dhe fjalori ka ndonjëherë intonacione më të ashpra, por Kuvendi i Kosovës tani ka një pozitë më të fuqishme dhe një pozitë jo shumë të fuqishme, por një pozitë relativisht të mirë. Mendoj se opozita e fuqishme është një balanc politik, për t’i shtyrë veprimet të ecin më mirë, më shpejtë dhe më drejtë. Kështu që kur kemi opozitë të fuqishme, kemi edhe pozitë të fuqishme, kemi institucione të mirëfillta, kemi edhe një zhvillim politik të mirëfilltë, sepse kemi kujdestar kush rrinë prapa të na korrigjojë, të na gjykojë dhe ne kemi mundësi të ecim drejt dhe pa gabime”, është shprehur Hasani.

Fjalorin më të ashpër politik këtë mandat shihet se e përdorë Lëvizja Vetëvendosje, si në mbledhjet e komisioneve parlamentare, ashtu edhe në seancat plenare të Kuvendit të Kosovës.

Megjithatë, Visar Ymeri nga kjo lëvizje, e arsyeton këtë fjalor të përdorur në Kuvend.

“Ne natyrisht që për të shprehur qëndrimet tona konsiderojmë që duhet të përdorim emërtimin e saktë të gjërave për shkak se emërtimi i saktë i gjërave i bënë ato që të duken ose të dalin në pah me vërtetësinë e tyre. Nuk ka kurrfarë arsye që e vërteta për atë se çfarë ndodh në politikën e Kosovës të fshihet”, ka thënë ai.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje, si partia e dytë opozitare, deri tani ka ngritur më së shumti çështje në Kuvendin e Kosovës, ka zbuluar një draft të kontratës ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe konzorciumit Bechtel&Enka për autostradën Vërmicë-Merdare, ka thirr një herë në interpelancë kryeministrin Hashim Thaçi, ndërkaq ka kërkuar sërish interpelancë nga kreu i Qeverisë lidhur me autostradën Vërmicë-Merdare./kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›