PS përgatit ankesë të re
Partia Socialiste pritet të kërkojë që të verifikohet edhe çështja e mospërputhjes së numrit të votave me numrin e votuesve të gjendura në kutitë për këshilltarë të bashkisë së Tiranës.
Këtë herë përveç padisë për kundërshtimin e vendimit për ndryshimin e rezultatit, socialistët do të kërkojnë që të verifikohet edhe çështja e mospërputhjes së shifrave.
Mospërputhja e shifrave është pranuar edhe nga anëtarë të KQZ-së, por është shpjeguar me pretendimin se fletët që janë tepër në kutitë për kandidat, mungojnë në kutitë për këshilltarë. Sipas shifrave zyrtare të KQZ-së, në kryeqytet kanë marrë pjesë në zgjedhje 256.507 qytetarë.
Juristët e PS janë në pritje të zbardhjes së vendimit të Kolegjit Zgjedhor për të ndërmarrë edhe nismën ligjore.
Vendimi i Kolegjit Zgjedhor pritet të zbardhet ditën e hënë dhe socialistët do të kenë kohë 24 orë për ta shqyrtuar dhe për të hartuar edhe kërkesën e re që pritet të depozitohet në Kolegjin Zgjedhor.
Kolegji Zgjedhor të premten hodhi poshtë ankesën e PS-së për të shpallur pavlefshmërinë e vendimeve të KQZ-së për rezultatin e Tiranës, duke lënë kështu në fuqi vendimin e KQZ-së, i cili shpall fitues me 81 vota avantazh kandidatin demokrat Lulzim Basha.
Kolegji Zgjedhor ka tre ditë afat për të zbardhur vendimin me të cilin pushoi kërkesën ankimore të socialistëve, e cila kundërshtonte KQZ-në për vlerësimin e fletëvotimeve të kontestuara për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.