Berisha: Përmbytjet, faji i shirave dhe të nxehtit afrikan

Kryeministri veçoi rëndësinë e madhe që nuk pati asnjë jetë njerëzore të humbur. Në seancën plenare të “së hënës së tretë t
ë janarit”, ai përjashtoi kritikat, akuzat për keqmenaxhim, shitblerje energjie dhe mosrespektim rregulloreje të HEC-eve
Denion Ndrenika
Kryeqeveritari Sali Berisha tha mbrëmë në Kuvend, se ishin “të turpshme”, sikurse i quajti cilësimet që bëri për “spekulime”, mbi menaxhimin e gjendjes së përmbytjeve dhe bashkërendimin e punës mes institucioneve. Kryeministri mbajti fjalën në seancën plenare të Kuvendit, që e konsideroi “të jashtëzakonshme”, ku u diskutua ajo që për qeverinë dhe pushtetarët vlerësohet “fatkeqësi natyrore”.
Seanca
Kryeministri Berisha nuk e pati opozitën përballë, pasi argumentet për seancë të jashtëzakonshme u përjashtuan prej saj, përderisa kushtetutshmërisht “Kuvendi mblidhet në të hënën e tretë të janarit”, që përkoi me të 18-ën datë të këtij muaji. Berisha nuk iu largua për asnjë çast përcaktimit mbi përmbytjet e mëdha të fillimjanarit, duke përjashtuar kritikat, akuzat dhe dyshimet për keqmenaxhim, shitblerje energjie dhe mosrespektim rregulloreje për hidrocentralet dhe duke shtuar se operacionet në terren ishin të suksesshme. Ai veçoi së pari, se rëndësia më e madhe ishte që nuk kishte pasur asnjë jetë njerëzore të humbur. “Objektivi madhor ishte shpëtimi i jetës së njerëzve. Janë evakuuar mbi 5000 qytetarë, operacioni i shpëtimit ishte i suksesshëm. Një solidaritet i madh shpërtheu brenda dhe jashtë vendit, sot nuk ka qytet që të mos ketë nisur miliona lekë ndihma monetare dhe materiale për zonën e përmbytur”, - tha ai. Për shefin qeveritar të pas 28 qershorit, të cilin opozita e konteston për rezultat të manipuluar votimesh që e lanë për së dyti në pushtet, Berisha tha se “fatkeqësi natyrore ndodhi në një kohë të shkurtër dhe po në një hark kohor të shkurtër u morën masa për të përballuar situatën”. “Të gjitha spekulimet që bëhen përsa i përket menaxhimit janë amorale dhe të ulëta. është e turpshme. Nëse ishte puna për të shitur energji, qeveria ime dhe KESH-i e shiste atë në tetor dhe në nëntor. E vërteta është që kaskada ka një rregullore, e cila harmonizon prodhimin e energjisë elektrike, mbrojtjen e digave, shmangien sa më të mundshme të përmbytjeve”, - përmblodhi kryeministri me pak fjalë shumë çështje përballë deputetëve të shumicës në pushtet.
Politika
Kryeministri refuzoi dhe hodhi poshtë kritikët ndaj qëndrimeve politike mbi menaxhimin e kaskadës së Drinit, HEC-eve dhe shkarkimeve të ujit nga liqenet. Për Berishën, autoritetet e energjetikës e menaxhuan më së miri gjendjen e vështirë dhe, sipas tij, “duke respektuar pikë për pikë rregulloren”, që kujtoi se ishte mëse “30-vjeçare”. Ai kujtoi se në asnjë çast “nuk ka ekzistuar rreziku për çarjen e digave në hidrocentrale”, se “qyteti (Shkodra) kurrë nuk kishe asnjë kërcënim nga digat” dhe se “digat janë një mbrojtje ndaj vërshimeve të Drinit”. “Ata të cilët çirreshin “larg duart politika”, atyre do t’iu them “dritëshkurtër”, për të mos u thënë më shumë. Aty ku jetët e shqiptarëve janë në kërcënim dhe në rrezik, aty politika është më aktive se kurrë për t’i shpëtuar ato. Dhe të mos mendojnë këta se kaskada e Drinit, digat dhe liqenet janë mulli personalë të tyre. Përkundrazi, është bërë një harmonizim i madh midis KESH-it, autoriteteve vendore të Dajçit, Anës së Malit, Bushatit, Velipojës, qytetit të Shkodrës”, lidhur sipas tij, me kapërcimin dhe përballimin e gjendjes. Sipas tij, “është bërë përpjekja që t’u jepej kohë e nevojshme që qytetarët të mblidhnin për evakuimin, uji nuk shkaktoi asnjë viktimë”, ndërsa iu drejtua kundërshtarëve, se “ata qajnë me lot nga brenda se kjo nuk ndodhi, nuk kam si i kuptoj ndryshe këto qëndrime, mbi të cilat përpiqen me çdo kusht të shpifin të trillojnë, duke bërë edhe budallain”.
Moti
Ai e mbështeti analizën e gjendjes mbi “fenomenet” që i kujtoi të motit, që sipas tij, “ishin të rralla dhe të pazakonta”, shoqëruar me temperatura të larta deri në 24 gradë celsius, që shkaktuan shkrirjen e dëborës në masivet malorë, kthimin e saj në prurje ujore në liqenet e HEC-eve mbi kaskadën e lumit Drin dhe po ashtu të shoqëruar me reshjet e shiut dhe rritjen e nivelit të detit në veriperëndim të vend, në pjesën e sipërme të Ultësirës Perëndimore, në qarqet Shkodër dhe Lezhë. “Ditët e fundit të dhjetorit dhe java e parë e janarit u karakterizuan nga fenomene natyrore të rralla, të rënda dhe të pazakonta, në njërën anë, reshjet e mëdha, të cilat përfshinë të gjithë verilindjen e Shqipërisë, nga ana tjetër një rritje, një dalje e paparë e detit dhe vërshimi i tij në zonat bregdetare të Kurbinit dhe Shkodrës, shoqëruar këto të gjitha me një rrymë afrikane ajri, që ngriti temperaturat në Shqipërinë e Mesme në 24 gradë, bënë që lumenjtë të vërshonin me tërbim drejt liqenit, drejt Shkodrës dhe rrethinave të saj në një hark kohor të shkurtër”, - u tha Berisha deputetëve. Fundi i fjalës së kryeministrit u përmblodh në garancitë që u dha banorëve për atë që opozita e quan “fatkeqësia e tretë pas Gërdecit dhe Kalimashit, shkaktuar nga keqqeverisja” e tij. “Dua t’i garantoj qytetarët e Shkodrës dhe të Nënshkodrës, se kjo përmbytje do të shndërrohet në një kapitull të ri mundësish dhe projektesh, në të cilat kjo qeveri do të bëjë që të përballohet çdo lloj përmbytje me kostot më minimale”, - tha Berisha.
Kryeministri ftoi opozitën: Bojkoti, gabim
Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje dje në drekë opozitës, që të reflektonte në orët e mbetura për të marrë pjesë në seancën e Kuvendit për përmbytjet. Kryeministri foli në mbledhjen e parë të grupit të deputetëve të Partisë Demokratike për këtë vit. Ai tha se seanca u thirr me kërkesë të opozitës dhe se ai e vlerësoi si të drejtë dhe si përgjegjësi të saj. Berisha tha se i vinte keq nga tërheqja e deputetëve socialistë: “Me një vendim zhgënjyes politik, ata që kërkuan seancën e jashtëzakonshme, nuk u lejuan dhe nuk lejohen që të marrin pjesë në debatin për një fatkeqësi madhore natyrore. Ky është një gabim shumë i rëndë. Manipulimi me fatkeqësinë, forcat madhore natyrore është politika më kundërproduktive, më e gabuar, më e zhveshur nga çdo lloj morali. Uroj që këto orë që kanë mbetur nga seanca, të jenë orë reflektimi”. Deputetët vendosën ndërkaq që të japin 50 mijë lekë nga pagat e tyre për të përmbyturit në veri.