Edhe Mitrovica ndihmon Shkodrën
Komuna e Mitrovicës ka ndarë rreth 7 mijë euro për të ndihmuar me ushqime familjet e përmbytura në Shkodër, ku gjatë javëve të fundit ka pasur vërshime të mëdha.
Kryetari i Komunës, Avni Kastrati, tha se vendimi është marrë me qëllim që sadopak t’u dilet në ndihmë këtyre banorëve, të cilët janë përballur me probleme të mëdha gjatë këtyre ditëve.
“Përkundër mundësive modeste, ne kemi vendosur që qytetarëve të Shkodrës me rrethinë t’u ndihmojmë me një kontingjent ushqimesh, në mënyrë që sado pak të ndihmojmë në përballimin e situatës së krijuar”, ka thënë Kastrati, transmeton Zyra për Informim e KK të Mitrovicës.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ylber Durmishi, ka shpjeguar se në kontingjentin e ndihmave ushqimore përfshihen disa tonë miell, sheqer, vaj, fasule, makarona dhe oriz, të cilat janë transportuar me një mjet transportues të kompanisë “Uniteti”.
Kontingjenti i ndihmave do të mbërrijë sot në Shkodër, ndërsa një delegacion nga Mitrovica do të jetë të njëjtën ditë atje për të parë gjendjen e krijuar dhe për të dorëzuar ndihmat ushqimore.
Gjithashtu në Mitrovicë janë organizuar për të ndihmuar edhe komuniteti i biznesit, të cilët që disa ditë janë duke mbledhur gjësende të ndryshme, si veshmbathje për qytetarët e përmbytur të Shkodrës.
Për ndihmë janë angazhuar edhe drejtuesit e OJQ “Eksodi ’99”, shoqatë kjo e cila për çdo vjet organizon marshet në drejtim të Shqipërisë për përkujtuar dhe falënderuar për pritjen e bërë në vitin 1999 për qytetarët e Mitrovicës, të cilët ishin dëbuar me dhunë nga regjimi serb.