E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkojnë kthimin e territorit të zaptuar

Nga Express më 03 shtator 2011 në ora 18:53

Në shenjë pakënaqësie të neglizhencës dhe injorimit nga ana e pushtetit lokal të Pejës, po ashtu nga Qeveria e Kosovës, rreth 500 rugovas kanë protestuar të shtunën në tokat e tyre shekullore e që Mali i Zi po e quan territor të vetin.

Me pllakate në duar duke kërkuar kthimin e tokës së zaptuar këta protestues kanë marshuar të qetë duke kënduar këngë autoktone rapsodike.

Kërkesa kryesore e tyre është rikthimi i vijës kufitare në Qafën e Çakorrit, aty ku ka qenë më parë.

“Institucionet tona po i mbyllin sytë dhe nga të gjitha anët po u zaptohet territori i vet shekullor”, thotë Ismet Muriqi, banor i fshatit Koshutan të Rugovës.

“Pse ne të heshtim gjithmonë? Territori i Kosovës është copëtuar shekuj me radhë, lëshoja atij, lëshoja këtij, asnjë metër tokë më s’ duhet ta lëmë të na e okupojnë, për së gjalli s’do t’i lejojmë”, u shpreh i mllefosur Muriqi.

Ai shtoi se prej se ai dhe gjyshërit e tij mbajnë mend kjo tokë ka qenë e Kosovës.

“Këta s’po dinë të ngopen kurrë. Pak po iu duket se na e kanë marrë Plavë e Guci, Mitrovicën po na e lajnë peng! Për të gjallë tonë nuk do të lejojmë që të ndryshohet vija kufitare, edhe derisa ta qesin prapë si ka qenë për Qafë të Çakorrit ne nuk do të ndalemi”, është shprehur Muriqi.

Muriqi po ashtu bëri thirrje tek të gjitha institucionet lokale dhe qendrore që të ndërmarrin hapa konkret për ta mbrojtur territorin sa nuk është bërë vonë.

Protesta është zhvilluar në ditën e nënshkrimit të marrëveshjes për bartjen e kompetencave nga KFOR-i tek Policia Kufitare e Kosovës për ruajtjen e kufirit me Malin e Zi. Demarkacioni i vijës kufitare me Malin e Zi nuk ka filluar ende, ndërkohë që ministri i Punëve të Brendshme i Malit të Zi, Ivan Brajovic ka thënë se vendi i tij nuk ka pretendime territoriale ndaj fqinjëve të tij.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›