Kërkojnë moskthimin e pikturës
Autoritetet janë duke punuar me Ministrinë e Kulturës të Italisë për të përcaktuar pronarët e ligjshëm të veprës: një pikturë në vaj 473 vite e vjetër e artistit të Renesancës italiane Girolamo Romano të titulluar “Christ Carrying the Cross Dragged by a Rogue.”
Piktura ishte e ekspozuar në Mary Brogan Museum of Art and Science, një prej pesëdhjetë veprave të huazuara nga Pinacoteca di Brera në Milano për një ekspozitë të pikturave të epokës së barokut nga Lombardia.
Chucha Barber, drejtor ekzekutiv i muzeut, tha se prokurorja e SHBA-ve në Tallahassee, Pamela Marsh, e ka informuar muzeun më 21 korrik se piktura besohet të jetë konfiskuar ilegalisht nga një familje hebreje nga qeveria franceze e Vichy-t gjatë Luftës së Dytë Botërore. Muzeu është urdhëruar se piktura nuk duhet të kthehet në Itali deri sa të vërtetohet pronësia.
Barber gjithashtu tha se ka marrë një telefonatë nga Lionel Salem, kimist francez, i cili është stërnip i pronarit të pikturës, Guiseppe Gentili.
Salem e ka informuar atë se piktura në galerinë e saj përputhet me atë që i ka takuar Gentilit para luftës, e cila është shitur në vitin 1941 në një ankand qeveritar, pasi pjesa më e madhe e familjes së Gentilit ishin larguar nga Franca.
Një numër i madh i pikturave të tjera nga ai ankand përfunduan në Louvre dhe përfundimisht iu kthyen familjarëve pas një beteje të gjatë gjyqësore, tha Barber.