E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të drejtat autoriale në BE deri në 70 vjet

Bashkimi Evropian ka zgjatur të drejtat e autorësisë për pjesët artistike muzikore prej 50 në 70 vjet. Në SHBA këto të drejta sipas ligjit u pranohen artistëve për 95 vjet me radhë. Nga Express më 13 shtator 2011 në ora 12:01

Muzicientët do të paguhen për këngët e tyre edhe në moshë të shtyrë. Kjo do të ndodhë falë legjislacionit të ri të Bashkimit Evropian.

Direktiva për të drejtat e autorësisë e aprovuar të hënën në Bruksel ka zgjatur ‘të drejtat e autorit’ për incizimet audio (sonike) nga 50 në 70 vjet.

Kjo nënkupton se muzicientët e përfshirë në incizimet si ato të Cliff Richardit, po e zëmë, “Move It”, të cilës i ka skaduar më 2009 e drejta e autorësisë, tani do të vazhdojnë të përfitojnë materialisht edhe për 20 vite tjera.

Vendimi është përshëndetur nga industria e muzikës dhe është cilësuar si ‘lajm fantastik’.
“Artistët kanë vënë zemrën dhe shpirtin në krijimin e muzikës prandaj është fer që mundi i tyre të shpaguhet”, citon BBC nikoqirin e një emisioni televiziv, Jools Holland.

“Është me rëndësi që artistët të paguhen për punën e tyre dhe zgjatja e të drejtave të autorësisë për 20 vjet është lajm shumë i mirë për ne.”

Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë theksuar se “Direktiva e re synon të rrisë nivelin e mbrojtjes së artistëve duke ua pranuar atyre kontributet artistike”.

E drejta autoriale në shtetet anëtare të BE-së, e cila tash e tutje do të jetë 70 vjet, as që mund të krahasohet me kohëzgjatjen e të drejtës autoriale në SHBA, ku artistët nga puna e tyre përfitojnë hiq më pak se 95 vjet, kanë shkruar mediat ndërkombëtare.

“Performuesit në përgjithësi fillojnë karrierën e tyre në moshë relativisht të re, mirëpo kohëzgjatja e të drejtave të autorësisë së punës së tyre prej 50 vitesh sa ishte deri më tani, nuk i mbron veprat artistike as sa ata janë të gjallë dhe në moshë të shtyrë shumë artistë ballafaqohen me kriza financiare”, është shprehur për televizionin britanik, BBC, kompozitori Mike Batt.

Sipas legjislacionit të ri do të krijohet një fond i veçantë i mjeteve që do t’u dedikohen muzicientëve, të cilët i kanë bartur të drejtat e tyre të autorësisë në shtëpi të ndryshme të produksionit muzikor, apo tek dikush tjetër përgjithësisht.

Ylli i grupit Abba, Bjorn Ulvaeus, ka shtuar se një përfitim i zgjatjes ishte se ai do të ruajë kontrollin ndaj asaj se si kompozimet e tij do të përdoren në të ardhmen.

“Tani nuk kam nevojë ta shoh Abba-n të përdorët në një reklamë televizive”, tha ai, “dhe mijëra muzicientë më pak të njohur nëpër Europë, të cilët po e pasurojnë jetën dhe kulturën tonë, mund të marrin shpërblimin e merituar për veprat e tyre”.

Udhëzimi pritet të implementohet nëpër të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian deri në vitin 2014. bbc.co.uk

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›