Ulet mosha për të luajtur kazino
Ligji "Për lojërat e fatit" ka pësuar ndryshime rrënjësore, duke nisur që në fillim nga delegimi i kompetencave nga Ministria e Ekonomisë drejt asaj të Financave. Dikasteri i Bodes do të mbajë përgjegjësi për tregun e lojërave të fatit, si në licencim dhe në monitorim. Konkretisht, ajo që ndryshon nga ligji i mëparshëm lidhet me moshën e personave që kanë të drejtë të hyjnë në kazino ose në ambiente ku vihen baste. Nga 21 është bërë 18 vjeç, mosha e lejuar për të frekuentuar ambientet e kumarit dhe po këtë moshë e sipër duhet të kenë edhe punonjësit. Për efekte të karakterit social, lojërat e fatit nuk duhet të qëndrojnë para ambienteve të shkollave dhe institucione fetare, ndërsa në hyrje të çdo subjekti privat që merret me këtë aktivitet duhet të vendosen në mënyrë të dukshme lojërat që ofrohen dhe mënyra sesi luhen. Në ligj janë të përcaktuar qartë edhe detyrimet ndaj shtetit, të cilat nisin nga 1 milion lekë të reja në vit deri në bllokimin e kapitalit në 1.2 miliardë lekë. Tjetër ndryshim lidhet me identifikimin e lojtarëve që vendosin baste për ndeshje të ndryshme sporti. Kështu, ata që luajnë on line shuma mbi 200 mijë lekë ose fitojnë po kaq para, duhet të paraqesin të dhënat e tyre personale, të cilat regjistrohen pranë subjektit privat për llogari të Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, pranë Financave. Punonjësit e kësaj njësie kanë të drejtë të mbajnë armë me vete gjatë ushtrimit të detyrës dhe kanë kompetenca të plota në zbatimin e ligjit.