E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kërkojnë të dytën

E diela do të jetë e rezervuar për finalen e Kupës së Kosovës në futboll, ku do t’i masin forcat Liria dhe Vëllaznimi.

Pas vitit 1991, prizrenasit e kanë fituar këtë trofe dy herë, përkatësisht në edicionin 1994/1995 dhe në sezonin 2006/2007. Kurse, prej asaj kohe, Vëllaznimi këtë trofe e ka fituar vetëm një herë, respektivisht në edicionin 2007/2008.

Të dyja ekipet i kanë ambiciet e tyre: ato synojnë që trofeun e çmueshëm ta sjellin në qytetin e tyre. Liria ka paksa më komoditet, pasi që në ndeshjet e fundit të kampionatit i pushoi lojtarët kryesorë dhe nuk pati ngarkesë, karshi gjakovarëve që arritën ta sigurojnë mbijetesën në Superligë vetëm katër ditë më parë.

Trajneri i Lirisë, Behajdin Gjinali, beson te freskia e futbollistëve të tij. Ai do të jetë i hendikepuar pa mbrojtësin Roland Duraku (ka kartonë), por do ta ketë në dispozicion Uliks Emrën, i cili ishte i lënduar.

“Sot (të shtunën) e mbajtëm stërvitjen e fundit. Jemi të përgatitur maksimalisht dhe te lojtarët ekziston një motivim i lartë. Ambiciet tona janë që ta përsërisim suksesin e vitit 2007, duke e fituar këtë trofe. Në ndeshjet e fundit të Superligës i kemi ruajtur disa lojtarë, kështu që kampionati ishte në plan të dytë për ne. Pres lojë dhe anim korrekt dhe synojmë që ta fitojmë Kupën, për t’i arsyetuar investimet që ka bërë klubi këtë vit”, tha Gjinali.

Kurse në taborin kuqezi ende nuk e kanë harruar gëzimin që u solli fitorja ndaj Besianës në ndeshjen e barazhit. Por, kjo nuk do të thotë se ata do të kënaqen me këtë, pasi që apetitet e tyre janë rritur. Gjakovarët synojnë që sezonin ta mbyllin me një sukses tjetër – triumfin në Kupën e Kosovës.

“Nesër do të tentojmë ta vazhdojmë atë serinë e mirë të ndeshjeve. Kemi nëntë rezultate pozitive rresht, ndërsa të dielën synojmë të dalim me të dhjetin. Nuk duhet harruar se Liria ka ekip cilësor dhe i ka edhe ajo synimet e veta. Do të angazhohemi maksimalisht, pres lojë cilësore dhe kualitative, ndërsa le të fitojë ai që është më i mirë dhe sigurisht ai që ka edhe fat”, theksoi trajneri i Vëllaznimit, Ajet Shosholli.

Në radhët e Kuqezinjve do të mungojë sulmuesi i ri Dardan Rugova, për shkak të lëndimit. Sigurisht, këtë eveniment do ta bëjë më spektakolar edhe prania e tifozëve të të dyja klubeve. “Arpaxhikët” dhe “Kuqezinjtë e Jakovës” pritet ta vërshojnë kryeqytetin të dielën, për ta përkrahur ekipin e tyre të zemrës. Ndeshja finale e Kupës së Kosovës ndërmjet Lirisë dhe Vëllaznimit do të zhvillohet të dielën në stadiumin e qytetit në Prishtinë, duke filluar nga ora 17.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›