E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkojnë të merren vesh

Nga Express më 28 dhjetor 2010 në ora 20:14

Dega e DPS në Budvë kërkon takim me Djukanovicin lidhur me arrestimin e krerëve të komunës për korrupsion në ‘rastin Zavala’, për çka Prokuroria e Malit të Zi të hënën mbrëma ka urdhëruar hetimin edhe të 12 peronave tjerë.

Anëtarët e Këshillit Komunal i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Budvës dhe të gjithë deputetët kërkuan takim me shefin e partisë, Milo Djukanovic, për të biseduar për ‘rastin Zavala’ dhe për ngjarjet e fundit në Budvë.

Gazeta podgoricase ‘Vijesti’ njoftoi se DPS i Budvës synon të qetësojë tensionet e shfaqura pas arrestimit të kryebashkiakut, Rajko Kuljaca, zëvendëskryetarit, Dragan Marovic, dhe të tetë bashkëpunëtorëve të tyre, sepse situata në Budvë ditëve të fundit “ishte tejet e tensionuar”.

Policia malazeze i kreu këto arrestime të premten në mëngjes, për shkak të dyshimit të keqpërdorimit të detyrës zyrtare në rastin e ndërtimit të kompleksit ekskluziv hotelier në gjirin Zavala, afër Budvës.

Zyrtarët e DPS, Miodrag Vukovic dhe Predrag Sekulic, vlerësuan se arrestimi i zyrtarëve të Budvës s’do të shkaktojë përplasje në parti. Ndërkohë, pritet që për këtë temë të bisedohej edhe në takimin e Kuvendit Komunal të së martës, si temë kryesore e të cilit u paralajmërua buxheti për vitin 2011.

Hetimi financiar i kërkuar nga Prokuroria e Lartë do të realizohet edhe kundër dy të parëve të komunës, njëri prej të cilëve është vëllai i zëvendëskryeministrit në largim, Svetozar Marovic.

Hetimi është urdhëruar edhe ndaj deputetit të DPS, Djordjije Pinjatic, të cilit i është pezulluar imunitetit, dhe të cilit prokuroria tashmë ia ka caktuar paraburgimin prej 48 orësh. Krerëve të Budvës dhe bashkëpunëtorëve të tyre ndërkaq më herët iu është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh.

Kuljac dhe Marovic kanë mohuar fajësinë, megjithëse bashkë me bashkëpunëtorët e tyre aktualisht ndodhen në burgun Spuz, afër Podgoricës, përderisa policia ende çyshtë në kërkim të shtetasen rus, Natalya Panin, që ishte drejtoreshë ekzekutive dhe përfaqësuese e kompanisë Zavala Invest.
Mediat malazeze ndërkohë kanë publikuar lajmin se të enjten, me gjasë në cilësinë e qytetarit, do të merret në pyetje edhe Svetozar Marovic.

‘Rasti Zavala’ është krijuar para tri vitesh, kur në gjirin me të njëjtin emër pa asnjë leje ndërtimi dhe në partneritet me një kompani ruse filloi ndërtimi i vilave dhe banesave luksoze, me qëllim të shitjes së tyre në treg.

Kompleksi nuk u përfundua kurrë, megjithëse shumica e objekteve në të u shitën me çmim prej 6,000 eurosh për metër katror.

Ndryshe, Marovic ishte pronar i një sipërfaqeje të madhe të tokës ku u ndërtuan objektet luksoze dhe bashkëpronar i kompanisë MonInvest, megjithëse pjesën e tij më vonë e shiti për një milion euro. (Nga agjencitë)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›