E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarkozy i përfshirë në një skandal të ri

Nga Express më 28 dhjetor 2010 në ora 19:40

Presidenti francez, Nicolas Sarkozy, është përfshirë në atë që është konsideruar si skandali më i madh i çështjeve shëndetësore në dhjetëvjeçarin e fundit në Francë.

Qeveria dhe organizmi qeveritar rregullator për çështjet e shëndetësisë janë vënë nën akuzë për mbështetjen e shpërndarjes së një ilaçi për humbjen në peshë, të njohur me emrin “Mediator”, që besohet se ka marrë jetën e 2000 njerëzve në Francë. Ky lajm është publikuar në gazetën e përditshme “Liberation”. Pacientët që kanë marrë derivatin e amfetaminës “Mediator” kanë ngritur një padi kundër “Servier”, kompanisë së dytë më të madhe farmaceutike në Francë. Kjo kompani e ka bazën aktualisht në lagjen e pasur parisiene, kryebashkiak i së cilës ka qenë Sarkozy. Një vit më parë, Sarkozy personalisht i dha urdhrin e famshëm të “Legjionit të Nderit”, shefit ekzekutiv të kompanisë, Jeaq Servier.

Pas kësaj, politikanët e opozitës po kërkojnë hetime në lidhje me këtë rast, duke akuzuar qeverinë franceze se ka vënë shumë jetë në rrezik vetëm për të mbrojtur përfitimet financiare dhe biznesin e kompanisë farmaceutike. Besohet se 500 deri në 2000 persona kanë vdekur nga shqetësimet në zemër, të shkaktuara nga medikamenti në fjalë. Ai u ndalua vetëm 30 vjet pas daljes në qarkullim, pra në vitin 2009. “’Mediator’ është përgjegjës për ‘një tmerr shëndetësor’ në Francë”, ka deklaruar Irene Franchon, mjeke, që ka publikuar edhe një libër në lidhje me rreziqet e këtij ilaçi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›