E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkojnë të sqarohen mirë kompetencat e presidentit

Diskutimi mbi amandamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që do të mundësoj zgjedhjen e drejtpërdrejt të presidentit të vendit, kishte zgjuar të martën interesimin e qytetarëve të Ferizajt, të cilët për rreth një orë e gjysmë debatuan me anëtarët e komisionit për amandamentimin e Kushtetutës.

Ky debat që tashmë po zhvillohet në disa qendra të Kosovës me përkrahje edhe të organizatës Demokracia në Veprim synon që të pasqyroj edhe kontributin e qytetarëve lidhur me procesin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat pashmangshëm qojnë edhe në zgjedhjet e drejtpërdrejta për president.

Fillimisht kryetari i Komisionit për Amandamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami, para të pranishmeve ka sjell një informatë lidhur me ecurinë e punës së këtij komisioni, duke u ndalur veçmas në draftin e punës prej nenit 85 e deri te neni 91.

Ai ka thënë se këto ndryshime nuk kanë për qëllim që të krijojnë konkurrencë në lidership, por përkundrazi të krijojnë rend, ndarje të qartë të kompetencave dhe funksionim më të mirë të shtetit.

Kryetari i këtij komisioni më këtë rast ka pasqyruar edhe alternativat e mundshme për ndryshimin e procedurave të zgjedhjes së presidentit, duke kërkuar nga qytetarët që me propozimet e tyre të japin alternativa për mënyrën e zgjedhjes së presidentit, mosha e tij , shtetësia, mënyra e kandidimit, betimi, raportet kushtetuese të presidentit me kryeministrin, etj.

Në debatin që rrodhi qytetarët kishin mendime të ndryshme mbi temën e presidentit të ardhshëm. Ata kërkonin një presidenti të lindur në Kosovë, të ketë moshë të pjekur dhe bagazh të pasur eksperiencash.

Bashkim Fazliu ngriti çështjen e moskorospodimit të neneve ndër veti dhe propozoi që vendi i betimit të presidentit të jetë Prekazi, kurse studenti B. Ajeti kërkoi që për president të kandidojë vetëm ai person që është banorë i Kosovës për më shumë se dhjetë vite dhe të ketë moshë mbi 40 vjeç.

Qytetari Gazmend Rexhepi e shtroj nevojën e rishikimt të kompetencave të kryetarit, ngase ai zgjidhet direkt nga vota e qytearëve. Nga debati rezultoi edhe çështja se Kosova a duhet të ketë vetëm president apo edhe zv/president, rishkimin e kompetencave në mes presidentit dhe kryeministrit, formën e votimit, ndërsa dolën edhe kërkesat që të mos ngutet me betimin, se Kosova është vend multietnik e deri te ajo e përdorimit të emrit kryetar e jo president.

Zyrtarë të Komisionit për ndryshimin e kushtetutës po ashtu thanë se Komisioni kushtetues do të kërkojë mandat shtesë nga Kuvendi i Kosovës për të bërë ndryshime të tjera në Kushtetutë, një prej të cilave është edhe qartësimi i kompetencave mes presidentit dhe kryeministrit.

Gjithashtu u bë e ditur se komisionet e emëruara nga Kuvendi po përgatisin zgjedhjet me vetë faktin se po krijojnë bazën kushtetuese dhe ligjore. Me rezolutën e miratuar në Kuvend, është parashikuar që 6 muaj pas miratimit të këtyre amendamenteve kushtetuese të shpallen zgjedhjet presidenciale.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›