E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkon Sneijderin për Tevezin

Në Angli duket se janë vetëm dy, gjërat e sigurta për momentin: martesa e princit William me Kate Midellton dhe largimi i Carlos Tevezit nga Manchester City. Në fakt, sipas mediave britanike, sulmuesi argjentinas do të largohet nga Premier Liga në fund të këtij sezoni për të udhëtuar drejt Milanos te skuadra e Interit.

Pavarësisht se disa ditë më parë është përfolur për arritjen e marrëveshjes mes klubit zikaltër dhe menaxherit të lojtarit (7 milionë euro në sezon për 5 vite kontratë), kontaktet zyrtare me Cityn nuk kanë filluar ende. Por mediat britanike, në veçanti “Daily Mail”, ka publikuar ditën e djeshme një lajm, sipas të cilit mësohet se skuadra e Massimo Morattit është e gatshme që të ofrojë 45 milionë euro.

Për sigurimin e kësaj shifre të konsiderueshme parash, presidenti i Interit mund të vendosë të heqë dorë nga Wesley Sneijder, destinacioni i të cilit, nëse largohet, do të jetë Premier Liga: Manchester United është klubi i parë i gatshëm të bëjë çmendurira për të.

Por, po ditën e djeshme, ka ardhur një reagim nga skuadra e drejtuar nga Roberto Mancini në lidhje me largimin e Tevezit. Te Manchester City janë shprehur të gatshëm që të nisin negocimet për transferimin e “Apashit” tek Interi me një kusht: që zikaltrit t`u japin Sneijderin. Mesfushori holandez ka një kontratë me kampionët e botës, e cila mbaron në vitin 2015. Përveç kësaj, ai e ka bërë të ditur shumë herë se nuk dëshiron të largohet nga Milano.

Mirëpo loja e tij jo produktive këtë sezon, shumë larg formës së shkëlqyer që tregoi nën drejtimin e Mourinhos, si dhe nevoja për paratë që mund të përfitojë nga largimi i futbollistit, mund ta detyrojnë presidentin e zikaltërve që të heqë dorë nga ylli holandez.

Nga ana tjetër, është shumë e vërtetë që vetë Sneijder ka deklaruar se dëshiron ta provojë një eksperiencë në Premier League dhe sheiku Mansour di se si ta bindë atë me shifra marramendëse për të veshur fanellën e Cityt.
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›