Kërkon aksione në Milan
Vetëm disa muaj pasi është bërë sponsor zyrtar i Milanit, biznesmeni shqiptar, Rezart Taçi i ka treguar edhe pretendimet e tjera të rëndësishme që ka në lidhje me klubin italian.
Naftëtari shqiptar ka zbuluar se ëndërr e tij do të ishte që të futet në klubin Rossoner si aksionar, pa marrë parasysh përqindjen e tyre.
“Për momentin dëshiroj ta rris shkallën e sponsorimin, e më pas kushedi. Do më përshtatej dhe do më shkonte mirë edhe një përqindje e aksioneve në klub, qofshin ato edhe minimale. Unë jam i interesuar për t’u kyçur në Serie A, jam mjaft i lidhur me Milanin”, deklaroi Taçi për të përditshmen italiane, Tuttosport.
“Futja në Milan si sponsor, ishte zgjedhje e zemrës. Edhe grupi ynë do të ketë beneficione nga kjo. Milani është klubi më i rëndësishëm në botë dhe Serie A, për mua është kampionati më i mirë në botë”, vazhdoi pronari i kompanisë gjigante të naftës ‘Taçi Oil’.
I pyetur se cili do të ishte lojtari që do të dëshironte ta sillte në Milan, Taçi nuk ka menduar dy herë.
“E propozoj Iniestan, absolutisht. Unë dhe Galliani do të provonim së bashku që ta sjellim këtë lojtar në Milano”, vazhdoi Taçi i cili nuk do ta shiste për asnjë çmimi, Thiago Silvën, të cilin e konsideron si mbrojtësin më të mirë në botë.
Ai e ka kujtuar një rast, kur zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, bashkë me skuadrën, kishin arritur në Tiranë, për të luajtur me ekipin e dytë të Shqipërisë.
“E kujtoj herën e parë kur Milani kishte ardhur në Tiranë për të luajtur në turneun tonë, e pash Gallianin, të ulur në tribunë afër meje, i mllefosur me Carlo Ancelottin, sepse skuadra e tij po humbiste nga një seleksion shqiptar. Brenda meje mendoja: nëse ky zotëri sillet në këtë mënyrë për një ndeshje miqësore, imagjino se çka do të ndodhte në një ndeshje kampionale apo në Ligën e Kampionëve”, vijoi ai.
Taçi në fund ka premtuar se trofeu ‘Taçi Oil’ do të mbahet vitin e ardhshëm, me mysafir pikërisht Milanin, i cili qëndroi në Shqipëri edhe në vitet 2008 e 2009.