Përcaktohen vazot për ‘Euro 2012’

Portugalia, Irlanda e Veriut, Kroacia dhe Republika Çeke i kanë fituar katër vendet e fundit për Kampionatin Evropian ‘Euro 2012’, duke iu bashkuar 10 skuadrave të tjera si Spanja, Holanda, Gjermania, Italia, Anglia, Rusia, Greqia, Suedia, Danimarka e Franca, që e siguruan një gjë të tillë më herët, plus dy mikpritësve, Ukraina dhe Polonia, që shkuan direkt.
Ndërkohë, të mërkurën janë përcaktuar vazot, nga të cilat do të hidhet edhe shorti për evenimentin që do të mbahet vitin e ardhshëm. Vendosja e skuadrave në vazo është bazuar në mesataren e grumbullimit të pikëve në kualifikimet për Euro 2012, pikët e tubuara në kualifikimet për Botërorin 2010, plus mesatarja e pikëve në kualifikime dhe në fazën finale të Euro 2012.
Në Vazon e parë do të vendosen dy mikpritësit, Polonia e Ukraina, si dhe kampioni i botës dhe Evropës, Spanja dhe nënkampioni botëror, Holanda. Vazoja e dytë do të jetë e ‘tmerrshme’. Aty gjenden gjigantët si Gjermania, Italia dhe Anglia, plus Rusia.
Duke e pasur parasysh se janë të ndara në katër vazo, është një mundësi reale që Holanda, Gjermania, Portugalia dhe Franca, të bëjnë pjesë në të njëjtin grup, i cili lirisht mund të konsiderohej si ‘grupi i vdekjes’. Shorti do të hidhet në datën 2 dhjetor në Kiev të Ukrainës. Do të ketë 4 grupe me nga 4 skuadra dhe në secilin grup do të ketë një ekip nga çdo vazo.
Përbërja e vazove
Vazoja 1
Spanja
Holanda
Polonia
Ukraina
Vazoja 2
Gjermania
Italia
Anglia
Rusia
Vazoja 3
Kroacia
Greqia
Suedia
Portugalia
Vazoja 4
Danimarka
Franca
Irlanda
Republika Çeke