E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkon fleksibilitet

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Bak Ki-moon, u ka bërë ftesë Serbisë dhe Kosovës, që të gjejnë mënyra për lënien anash të çështjes së statusit dhe të angazhohen në interes të vazhdimit të bashkëpunimit rajonal.

“Kërkoj fleksibilitet në vazhdimin e definimit të mënyrës së punës, lidhur me pjesëmarrjen e Kosovës në mekanizmat rajonalë dhe ndërkombëtarë dhe në forume, që është esenciale për zhvillimin ekonomik dhe demokratik dhe për stabilitetin afatgjatë në rajon”, thuhet në raportin më të ri të Ban Ki-moonit, dërguar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara lidhur me misionin e OKB-së në Kosovë.

Më tutje, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, vlerëson se raportet e UNMIK’ut me autoritetet e Kosovës janë përmirësuar, pasi ishin shënuar kontakte të kufizuara me përfaqësuesin e tij special në Kosovë, Lamberto Zannier, gjatë disa muajve të kaluar.

Ai vlerëson se situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë është “relativisht e qetë, por potencialisht e ndjeshme”, ka raportuar Radio Evropa e Lirë.
“UNMIK-u mbetet i përkushtuar për lehtësimin e angazhimit të të gjitha palëve, për të gjetur zgjidhje praktike për çështjet e interesit reciprok”, thekson në raportin e tij, Ban Ki-moon.

Misioni ka vazhduar përpjekjet e tij për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë, por pa sukses, megjithëqë çështja “është në interes të të gjitha palëve dhe është diskutuar intensivisht për shumë muaj”, thuhet më tutje në raport.

Përderisa në raport shprehet kënaqësi për uljen e rëndësishme të tensioneve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, në lagjen veriore “Kroi i Vitakut”, Ban Ki-moon thekson se situata në veri të Kosovës mbetet e ndjeshme.

“Veçanërisht, incidentet ndëretnike kanë vazhduar të ndodhin në Mitrovicën veriore, që është arsye për shqetësim”, thuhet në raportin e tij.

Tutje, në raport, shkruan se “UNMIK-u ka vazhduar t’i mbështesë komunitetet pakicë, për ta inkurajuar pajtimin dhe për të lehtësuar dialogun dhe bashkëpunimin rajonal” dhe theksohet se qëllim strategjik i misionit të OKB-së “mbetet promovimi i sigurisë, i stabilitetit dhe respektimi i të drejtave të njeriut në Kosovë dhe në rajon, nëpërmjet të angazhimit me të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe me Prishtinën dhe Beogradin dhe me aktorët rajonalë dhe ndërkombëtarë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›