Ambasador pa konkurs

Rasti i fundit i Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila nuk ka mundur të zgjedhë asnjërin prej kandidatëve, që kanë konkurruar për ambasador në Maqedoni, për shkak se nuk kanë qenë dinjitoz, e ka shtyrë këtë ministri që të kërkojë amandamentimin e ligjit.
Kjo kërkesë e MPJ’së është pranuar të shtunën në mbledhjen e Qeverisë, e cila ka proceduar amendamentimin e Ligjit për Shërbimin Diplomatik dhe atë Konsullor, ku do të eliminohet konkursi për ambasador.
Zëvendësministrja e Jashtme, Vlora Çitaku ka thënë se janë konsultuar me Presidentin dhe Kryeministrin dhe janë marrë vesh për ndryshimin e ligjit.
“Kërkojmë që agjenda e legjislativit të qeverisë të plotësohet me amandamentimin e Ligjit për Shërbimin Diplomatik dhe Konsullor”, ka kërkuar Çitaku.
Deri më tani, ambasadorët e Kosovës i janë nënshtruar institucionit të konkursit dhe shumë kjo formë e përzgjedhjes, vlerësohet se ka ndikuar që shumë njerëz të mos i hyjnë kësaj procedure.
Pas kalimit të ligjit në Kuvend, ambasadorët e Kosovës do të emërohen nga Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me Qeverinë dhe Presidencën.
Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme, edhe më herët, kanë paralajmëruar amandamentimin e ligjit, pasi kanë vlerësuar se disa njerëz të dëshmuar nuk po konkurrojnë për të përfaqësuar Kosovën në vendet e botës.