Në fazën finale

Institucioneve paralele serbe në Kosovë është duke iu ngushtuar rrethi i funksionimit të tyre. Kjo pasi institucionet vendore dhe ndërkombëtare kanë vendosur t’i shkojnë deri në fund vendosjes së ligjshmërinë në tërë territorin e Kosovës.
Disa ditë pas publikimit të planit ndërkombëtar për shuarjen e strukturave paralele, Qeveria e Kosovës të shtunën e ka shqyrtuar këtë dokument dhe ka premtuar hapa konkretë drejt implementimit të tij.
Strategjinë për veriun e Kosovës e ka prezantuar Kryeministri Hashim Thaçi, i cili tha se ky dokument është në përputhshmëri të plotë me Pakon e Ahtissarit dhe Kushtetutën dhe se është në fazën finale.
Sipas tij, është urgjente fuqizimi i sundimit të ligjit, themelimi i komunës së Mitrovicës së Veriut, adresimin e qeverisjes vendore në tri komunat Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, si dhe përmirësimin i situatës ekonomike në këtë pjesë të Kosovës.
“Strategjia e cila është punuar jep rekomandime dhe orientime për katër fusha kryesore, së pari fuqizimin e sundimit të ligjit në gjithë territorin e Kosovës, reformimin e pushtetit lokal apo decentralizimin dhe themelimin e komunës së Mitrovicës së Veriut, adresimin e qeverisjes vendore në tri komunat, si dhe përmirësimin e situatës sociale dhe ekonomike”, ka sqaruar ai.
“Këto janë vetëm pikat kryesore që janë në fazën finale”, ka thënë Kryeministri.
Thaçi ka premtuar se sivjet do të ketë fonde shtesë për investime në veri të Kosovës, derisa vitin që shkoi Qeveria ka investuar rreth 8 milionë euro në atë pjesë.
“Nuk do ta kursejmë as mundin, as djersën, as kapacitetet të cilat i kemi si qeveri, si shtet, për të implementuar strategjinë e sundimit të ligjit... strategjinë e normalizimit dhe integrimit, e në kuadër të kësaj, para së gjithash, të konsolidimit të shtetit të Kosovës”, ka përshkruar Thaçi, planin.
Ekzekutivi i vendit nuk ka dhënë ndonjë datë se kur do të përfundojë së realizuari strategjia për veriun, por ka premtuar se gjithçka do të precizohet në draftin final të saj.
Për Kryeministrin, strategjia për integrimin e kësaj pjesë të Kosovës është për të mirën e të gjithë kosovarëve.
“Ka ekzistuar nevoja për strategji të re aktive, e cila do të ketë reflektimet më të mira të mundshme të perspektivës demokratike dhe integruese, edhe për veriun e Mitrovicës, në mënyrë që të forcohet sovraniteti i shtetit tonë dhe respektimi i integritetit territorial të Republikës së Kosovës, por edhe zgjerimi i funksionalizimit të ligjshmërisë në çdo cep të Republikë dhe përmirësimi i situatës ekonomike gjithashtu”, ka thënë ai.
Sipas tij, këto rekomandime kanë për qëllim krijimin e një gjendje afatmesme, në të cilën sundimi i ligjit është i fuqizuar dukshëm
Strategjia për veriun e Kosovës për herë të parë është publikuar nga ish’administratori i UNMIK’ut, Gerard Galluci në bllogun e tij, në fillim të këtij viti. Ai ka përmendur edhe detaje të strategjisë, të cilën e kanë konfirmuar edhe udhëheqësit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Në draftplanin e parë, të hartuar në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, thuhet se Qeveria e Kosovës me përkrahësit e vet ndërkombëtarë do të krijojë një komunë të re të Mitrovicës Veriore përmes zgjedhjeve që do të mbahen nga mesi i vitit 2010, nën kornizën ligjore të Kosovës; Qeveria e Kosovës do të organizojë zgjedhje lokale në tri komunat veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok kah fundi i vitit 2010, të cilat do të funksionojnë brenda kornizës ligjore të Kosovës.
Gjatë të njëjtit afat kohor strukturat paralele do të margjinalizohen dhe Zyra e UNMIK’ut në veri të Mitrovicës do të mbyllet. EULEX’i do të forcojë praninë e vet në tërë pjesën veriore të Kosovës dhe do të forcojë në mënyrë të dukshme sundimin e ligjit, me gjykata, polici dhe dogana më efikase, në këtë pjesë të vendit.