Kasami, i stresuar dhe i lodhur

Mosaktivizimi në Palermo gjatë këtij sezonit nuk e ka lënë pa pasoja Pajtim Kasamin. Mesfushori shqiptar është lodhur duke e pritur rastin, i cili i erdhi mjaft rrallë, edhe pse pati një superparaqitje para fillimit të sezonit, kur arriti në Itali nga Bellinzona.
Aktualisht, futbollisti shqiptar nga Maqedonia është grumbulluar me përfaqësuesen U21 të Zvicrës në vazhdën e përgatitjeve për Kampionatin evropian të kësaj grupmoshe, i cili do të mbahet në Danimarkë në muajin qershor.
“Në këto 10 ditë përgatitjesh, Kasami e ka demonstruar se është lojtar i mirë. Mirëpo, ai është mjaft i stresuar dhe i lodhur. Gjithashtu nuk është në gjendjen më të mirë fizike. Kjo natyrisht ka ardhur për shkak të paraqitjeve të rralla me Palermon këtë sezon. Megjithatë, ai ndien besimin e trajnerit”, theksoi selektori i Zvicrës U21, Pier Tami.
Ky i fundit po ashtu ka treguar se 19 vjeçari nuk e ka ndërmend të largohet nga Palermo, ngase këtë ka mundur ta bënte gjatë janarit, kur kishte oferta nga Serie B.