Gjendet kufoma e një burri, mendohet të ketë vdekur nga droga
Gjendet kufoma e një burri, ndërkohë që nga hetimet paraprake ka rezultuar se shkak mund të jetë bërë rrëzimi nga lartësia në gjendje të droguar. Ka qenë ora 08:30 të mëngjesit të djeshëm, kur uniformat blu të qytetit të Vlorës kanë gjetur një trup të pajetë, gati të dekompozuar. Trupi është gjetur në një vend të braktisur, në brendësi të lagjes "29 Nëntori" të qytetit bregdetar. Ai ishte në cepin e një bahçeje, dhe është pikasur nga kalimtarë të rastësishëm. Ka qenë një telefonatë e mbërritur herët në mëngjes pranë sallës operative, që ka vënë në lëvizje uniformat blu të shkojnë në vendngjarje. Viktima është rreth të 40-ve dhe nga hetimet e para trupi gati i dekompozuar mendohet të jetë i Dritan Mukës, banor i Vlorës. Por gjithsesi fjala i mbetet ekspertizës mjeko-ligjore për të nxjerrë të dhënat përfundimtare mbi personin, pasi kufoma ka qenë gati e paidentifikueshme për shkak të dëmtimeve që kishte pësuar nga qëndrimi jashtë për një kohë të gjatë. Mendohet që trupi i pajetë të ketë qenë në këtë vend të braktisur prej më shumë se 15 ditësh dhe ende nuk dihen shkaqet e vdekjes së 40-vjeçarit. Do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore që do ta ndihmojë policinë të përcaktojë dhe shkakun e vdekjes së tij. Aktualisht grupi hetimor i ka përqendruar hetimet në disa pista: që nga vdekja aksidentale, vdekje për shkaqe natyrore, overdoza e deri te një vrasje e mundshme. Por pista më e mundshme është ajo e vdekjes aksidentale, kjo për shkak të pozicionit që është gjetur kufoma. Mendohet që burri të ketë vdekur gjatë kapërcimit të murit. Ai mund të jetë rrëzuar aksidentalisht dhe të ketë pësuar vdekjen e menjëhershme. Vendi ku është gjetur trupi i pajetë është i fshehur mes pallateve dhe përdoret nga të rinj që drogohen ose nga prostitutat. Trupi i pajetë është çuar në morgun e spitalit të Vlorës, ndërsa hetohet edhe për raste të denoncimeve të njerëzve të humbur në këto 15-20 ditët e fundit. Sipas punonjëses së morgut, trupi i burrit nuk ka asnjë shenjë dhune ose plagë, goditje me thikë ose me plumb, duke përjashtuar mundësinë e ndonjë vrasjeje.
M.Marsi
M.Marsi