E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkon plan për Veriun

Komisioneri Europian për Zgjerim, Stefan Fule, u ka kërkuar autoriteteve të Kosovës që të përgatisin një plan afatgjatë dhe gjithëpërfshirës për Veriun e Kosovës. Ai gjithashtu tha se Kosova duhet të tregohet fleksibile dhe konstruktive në dialog me Serbinë në mënyrë që të gjendet një kompromis për marrëveshjet.

Komisioneri Europian për Zgjerim, Stefan Fule ka kërkuar nga autoritetet kosovare që të përgatisin një plan gjithëpërfshirës për veriun të cilin sipas tij do ta mbështet edhe Komisioni Europian. Këtë kërkesë Fule i ka përsëritur Presidentes Atifete Jahjaga gjatë një takimi në margjina të Konferencës së 48-të për Siguri Ndërkombëtare që po mbahet në Munich të Gjermanisë.

Fule po ashtu ka shpalosur edhe kërkesat e Komisionit Europian në proceset integruese të Kosovës duke uruar Jahjagën për fillimin e procesit të dialogut për liberalizimit e vizave. Gjatë takimit me Jahjagën, Fule ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të angazhohen më seriozisht sa i përket veriut të Kosovës dhe për këtë të përgatisin një agjendë pjesë e së cilës do të ishte një plan afatgjatë dhe gjithëpërfshirës.

“Unë kam theksuar nevojën për një agjendë gjithpërfshirëse dhe afatgjate për veriun e Kosovës, dhe Komisioni është i gatshëm të ofroj asistencë teknike dhe financiare për të mbështetur këto përpjekje”, ka thënë ai. Komisioneri Fule po ashtu ka bërë të qartë se Prishtina duhet ti kryej detyrat që i ka përpara lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, dhe theks të veçantë i ka vënë forcimit të rendit dhe ligjit.

“Përgjegjësia për perspektivën europiane të Kosovës mbetet së pari dhe përfundimisht tek autoritetet kosovare”, tha ai. Ai tha se autoritetet kosovare duhet ta kryjenë punën e tyre në mënyrë që qytetarët të mund të gëzojnë privilegjin e udhëtimit pa viza në zonën Schengen.

Në takim gjithashtu u fol edhe për marrëveshjen për tregti të lirë me Bashkimin Europian. Komisioni Europian është duke bërë përpjekje që të gjej një konsensus mes vendeve anëtare të BE-së që të arrihet një marrëveshje kornizë përmes së cilës Kosova do të mund të merrte pjesë në programet e BE-së.

Fule tha se Kosova duhet të vazhdoj përgatitjet për një marrëveshje për tregti, dhe konfirmoi se tashmë ekziston një pajtueshmëri mes vendeve të BE-së se zhvillimi socio-ekonomik i Kosovës do të përfitonte shumë nga anëtarësimi i saj në Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim.

Presidentja Jahjaga është duke marrë pjesë në Konferencën për Siguri Ndërkombëtare, dhe pjesë e agjendës së saj ka qenë edhe takimi me Komisionerin Fule. Nga ai, Presidentja ka kërkuar që të përshpejtohet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›