E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vetëvendosja” vendos për Kurtin, jo Kuvendi

Shaip Muja do ta ketë më lehtë që ta braktisë vetë Komisionin për Punë të Jashtme, se sa t’ia arrijë qëllimit për ta shkarkuar Albin Kurtin nga pozita e kryetarit të këtij komisioni. Së paku tre anëtarë të Komisionit të Jashtëm, të cilët janë njoftuar me shkrim me “synimin” e deputetit Muja, dy publikisht, e i treti në kushte anonimiteti, kanë deklaruar të shtunën se të drejtën për shkarkim të Kurtit nga kryetari i komisionit e ka vetëm grupi parlamentar i “Vetëvendosjes”, shkruan sot gazeta Koha Ditore.

Kështu, sipas tyre, është e përcaktuar me Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe me një “marrëveshje të panënshkruar” që është arritur ndërmjet subjekteve parlamentare kur është bërë ndarja e komisioneve.

“Është e drejtë ekskluzive e partive parlamentare, dhe jo e komisioneve që të vendosin se kush do t’i kryesojë komisionet parlamentare”, ka thënë një nga deputetët e këtij komisioni, duke parapëlqyer anonimitetin. I njëjti deputet, është pajtuar me Mujën se Komisioni për Punë të Jashtme është izoluar, por nuk e ka bërë fajtor Kurtin për këtë gjë, shkruan tutje kjo e përditshme.

“Nëse dikush ka faj në këtë mes, në radhë të parë janë PDK-ja e LDK-ja, që nuk e kanë zgjedhur këtë komision gjatë kohës kur është bërë ndarja e tyre. Siç dihet, partia më e madhe është ajo që e gëzon të drejtën për të zgjedhur e para ndonjërin nga komisionet parlamentare, e pastaj vjen në radhë partia e dytë, e tretë, e kështu me radhë..”, ka sqaruar ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›