Kermabon:EULEX-i plotësisht efektiv në pranverë
Shefi i misionit të BE-së EULEX Iv de Kermabon ka deklaruar se procesi i shtrirjes së autoritetit dhe sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës po zhvillohet sipas parashikimeve. Në takimin e Bordit të përbashkët bashkërendues të sundimit të ligjit, Kermabon u fokusua në arritjet e deritanishme të EULEX -it, me përjashtim të Mitrovicës veriore. "Kemi ngritur veprimtarinë tonë gjyqësore në çdo rajon, me përjashtim të veriut të Mitrovicës, deri më tani. Gjyqtarët e EULEX -it kanë filluar seancat dëgjimore dhe marrjen e vendimeve dhe njëkohësisht janë të angazhuar në veprimtari monitoruese dhe këshillëdhënëse", tha ai. Sipas Kermabon, kalimi i rasteve të UNMIK-ut tek gjyqtarët e EULEX-it pothuajse është finalizuar. "Së fundmi në Prishtinë ka filluar një rast i gjykimit për krime lufte, ku janë të përfshirë një gjykatës dhe prokuror i EULEX -it. Në fillim të shkurtit ka filluar edhe regjistrimi i mallrave në portat 1 dhe 31", u shpreh Kermabon. Fillimi i regjistrimit të mallrave që hyjnë në dy pikat kufitare në veri, portat 1 dhe 31, u konsiderua sukses edhe nga bashkëkryesuesi i bordit, zëvendëskryeministri kosovar Hajredin Kuçi. "Presim që shumë shpejt këto dogana të jetë funksionale plotësisht, duke vendosur përfaqësuesit e doganave dhe Policinë e Kosovës, në mënyrë që të mbizotërojë rendi dhe ligji edhe në atë pjesë të vendit", theksoi Kuçi. Deri tani në Kosovë janë vendosur rreth 1 mijë e 600 pjesëtarë ndërkombëtarë si dhe rreth 800 vendas në EULEX. Kermabon ka nënvizuar se funksionalizimi i plotë i misionit pritet të bëhet deri në fund të dimrit.