Khelil:Çmimi i një fuçie nafte do arrijë në 60 dollarë
Ministri algjerian i Energjisë Çakib Khelil ka deklaruar se çmimi i naftës do të shkojë në 60 dollarë deri në fund të vitit 2009, nëse tregjet e aksioneve vazhdojnë të përmirësohen dhe nëse G20-a miraton masat efikase për dhënien e kredive. "Do të shohim që një fuçi naftë do të arrijë në 60 dollarë deri në fund të vitit'", tha Khelil, që është gjithashtu edhe presidenti në detyrë i Organizatës së vendeve Eksportuese të naftës OPEC. "Ne bazohemi në hipotezën që G20-a do të ndërmarrë një program të mirë për stimulimin e ekonomisë sepse zyrtarët ekonomikë nuk kanë zgjedhje tjetër. Të gjithë vendet duhet të kontribuojnë për të gjetur një zgjidhje për ringritjen e sistemit financiar pasi është një problem botëror", shtoi Khelil. Karteli i naftës OPEC që eksporton rreth 40 përqind të arit të zi botëror, i qëndroi të njëjtit objektiv përsa i përket prodhimit prej 24,84 milionë fuçi naftë në ditë dhe fiksoi takimin e ardhshëm më 20 maj me qëllim që t'u japë kohë zyrtarëve kryesorë të ekonomisë botërore për të marrë masat efikase kundër asaj që është konsideruar si kriza më e rëndë ekonomike që prej viteve '30 të shekullit XX.