Kësh. Kombëtar i PD, shpallet lista finale

Partia Demokratike ka shpallur 100 emrat e rinj të Këshillit Kombëtar , listë kjo që në vetvete nuk përmban surpriza. Votimi i delegatëve të kuvendit dhe preferencat e tyre për anëtarët e këshillit kombëtar ndjekin të njëjtën fryme që u pa edhe në listat e kandidatëve për deputet në zgjedhjet parlamentare. Kështu tashmë janë jashtë këtij forumi Sali Shehu , Maksim Cikuli, Aleksandër Biberaj, Blerim çela, Pal Dajçi, Rexhep Uka etj të cilët nuk ishin as kandidate të PD-së në zgjedhjet e 28 qershorit. Bën perjashtim Besnik Mustafaj i cili edhe njihet si zë kritik në parti dhe nuk u kandidua në zgjedhjet e 28 qershorit është votuar si anëtar i këshillit kombëtar.
Nga ana tjetër në këshillin kombëtar janë futur shumë emra të rinj të cilët ishin në pozicione të sigurta në listën e kandidatëve për deputet, si Rajmonda Bulku, Mesila Doda, Spiro Ksera, Keltis Kruja, Gjok Uldedaj.
Megjithatë pavarësisht ndryshimeve njerëzit më të votuar në kuvendin e PD-së mbeten drejtuesit kryesorë të saj, kryetari i partisë i cili sërish ka numëruar 5 delegatë që nuk kanë preferuar të votojnë për të , 2 nënkryetarët dhe sekretari i pergjithshëm.
Gjithashtu një risi është fakti që 30% e anëtarëve të këshillit kombëtar në zbatim të statutit janë femra; dhe padyshim ndër më të vlerësuarat janë zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, zëdhënësja e kryeministrisë, Juela Meçani dhe këngëtarja çiljeta Xhilaga.
Tashmë sipas statutit të PD-së është kryetari i partisë ai i cili thërret këshillin kombëtar për të zgjedhur kryesinë dhe drejtuesit e tjerë të PD-së.