E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova jashtë procesit të liberalizimit të vizave

Kosova ka mbetur jashtë procesit të liberalizimit të vizave. Përfaqësues të Bashkimit Evropian thanë sot se kjo është kushtëzuar në radhë të parë nga problemet politike.

Shteti i ri që shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008, është njohur nga 64 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian.

Por, mosnjohja e pavarësisë nga pesë vende të këtij Bashkimi, po e lë Kosovën jashtë proceseve integruese.

Në mesnatë hyri në fuqi heqja e vizave nga Bashkimi Evropian për shtetasit e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Heqja e vizave u ofron këtyre shtetasve lëvizje të lirë në zonën e Shengenit, që përfshin 25 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe 3 vende që s'bëjnë pjesë në BE, Islandën, Norvegjinë dhe Zvicrën. Dy vendet e Bashkimit që nuk përfshihen në Shengen janë Britania dhe Irlanda.

Heqja e vizave eliminon për shtetasit e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë një nga elementët më irritues për shtetasit e Evropës Lindore në komunikimet me vendet e Evropës Perëndimore. Kërkesat për viza janë kritikuar prej kohësh nga shumë analistë, që i shohin si pengesë ndaj planeve të Bashkimit për ta integruar rajonin e Ballkanit Perëndimor në bllok.

Milica Deleviç, e cila shefe e zyrës së qeverisë serbe për Integrim në Bashkimin Evropian, thotë se heqja e vizave ka përcjellë një mesazh të fortë se Serbia po pranohet politikisht:

"Deri tani shtetasit serbë e kishin të vështirë të besonin se kishin një perspektivë evropiane. Ata i shihnin kërkesat për viza si një sinjal të fortë se BE-ja nuk i përfillte. Ky është sinjali i parë se ne Evropa na pranon dhe se perspektiva evropiane është reale."

Heqja e vizave eliminon radhët e gjata në ambasadat perëndimore, që shumë banorë të Ballkanit i konsiderojnë si poshtëruese.

Në Serbi, kjo masë përfaqëson një mbështetje të rëndësishme për qeverinë pro-perëndimore, e cila ka qenë nën presion të vazhdueshëm nga nacionalistët lidhur me bashkëpunimin e saj të ngushtë me Perëndimin.

Këtë javë, banorët e Beogradit thanë se e mbështesin këtë hap dhe mirëpresin lehtësirat që ofron kjo masë për të afërmit që mund të udhëtojnë pa problem jashtë shtetit.

Milica Zarkoviç punon për agjencinë turistike Kontiki. Vetëm gjatë 2 javëve të fundit, thotë ajo, është rritur ndjeshëm numri i personave që kanë prenotuar udhëtime për të kaluar Krishtlindjet jashtë vendit, të nxitur nga rregullat e reja:

"Që nga data 30 nëntor, kur u mor vendimin përfundimtar për heqjen e vizave, është rritur numri i personave që prenotojnë udhëtime të shkurtra në qytete Evropiane, veçanërisht për sezonin e fund-vitit."

Për 40 vjet radhazi, shtetasit e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë udhëtonin pa viza në Evropën Perëndimore si republika të Federatës Jugosllave, i vetmi vend komunist që u lejonte shtetasve të tij lëvizje të lirë jashtë vendit.

Kërkesat për viza u vendosën në vitin 1991 me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë. Sllovenisë dhe më pas Kroacisë iu ofrua heqja e kërkesave për viza. Tani kjo masë përfshin edhe Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.

Nga vendet e Ballkanit, BE-ja vazhdon të mbajë kërkesat për vizë vetëm për Shqipërinë, Bosnjen dhe Kosovën, të cilën ende nuk e kanë njohur të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›