E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshillat bashkiakë, ja bashkitë më të qeta në qeverisje

TIRANE-Zgjedhjet e 8 majit sjellin një shpërndarje mandatesh për këshilla bashkiakë me diferencë të ngushtë ndërmjet maxhorancës dhe opozitës. Në këto zgjedhje, ajo çfarë do t’i shoqërojë shqiptarët në qeverisjen lokale do të jetë diferenca e ngushtë e numrit të anëtarëve të këshillave bashkiakë e komunalë, duke bërë që fati i vendimeve të rëndësishme të mos varet nga dy partitë më të mëdha, PS dhe PD, por nga partitë e tjera politike.

E perditshmja Gazeta Shqiptare ben te ditur se më të sigurt në drejtimin e në marrjen e vendimeve, siç janë edhe buxheti i çdo viti për qytetin, do të jenë kryebashkiakët e Korçës, Niko Peleshi, i Vlorës, Shpëtim Gjika, i Shkodrës, Lorenc Luka, i Fierit, Baftjar Zeqo dhe ai i Elbasanit, Qazim Sejdini, pasi në këshillat bashkiakë dominojnë anëtarët e partisë dhe të koalicionit të tyre politik. 

Por, sistemi proporcional rajonal i përdorur në këto votime lokale, do të sjellë dhe një tensionim të situatës politike në këshilla bashkiakë dhe komunalë. E perditshmja Gazeta Shqiptare ben te ditur sot se rasti më tipik është ai për këshillin bashkiak të Beratit, ku koalicioni “Aleanca për Qytetarin” dhe ai “Aleanca për të Ardhmen” kanë numër të njëjtë këshilltarësh dhe ‘peshorja’ e vendimeve nuk do t’i takojë dy partive kryesore PS dhe PD, por gjithçka do të varet nga qëndrimi që do të mbajë anëtari i LZHK-së.
Një fenomen tjetër është që nëse kryetarët e bashkive janë zgjedhur p.sh., nga PS-ja apo PD-ja, këshillat do të dominohen nga forca e kundërt politike. Një gjë e tillë vërehet re në Bashkinë e Lezhës, ku fitues është Vitor Tusha i “Aleancës për Qytetarin” dhe këshilli bashkiak do ketë një shumicë të të majtëve me një votë. Po keshtu Bashkia Përmet do të ketë kryetar kandidatin socialist, por PD-ja me aleatët e saj kanë më shumë anëtarë në këshill, dhe po keshtu dhe Durresi.

Ndërkohe pritet që kryetari i Bashkisë së Tiranës të shpallet këto ditë nga KQZ-ja, pasi çështja do të shqyrtohet në Kolegjin Zgjedhor. Sipas të dhënave paraprake, kandidati demokrat, Lulzim Basha është 81 vota para kandidatit socialist Edi Rama. Nëse Kolegji i cilëson si të drejtë shpalljen e votave të mbledhura nga KQZ-ja, atëherë Basha do të jetë kryetar i Bashkisë, në të cilën do të ketë me vete dhe këshillin bashkiak. Ky këshill, për herë të parë pas disa vitesh dominohet nga të djathtët, ku koalicioni “Aleanca për Qytetarin” ka një anëtar më shumë se koalicioni i opozitës “Aleanca për të Ardhmen”.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›