E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Çmimet e prodhimit rriten 3.1%

TIRANE-Në tremujorin e parë të vitit 2011 indeksi i çmimeve të prodhimit në vend shënoi një rritje të mëtejshme, raporton Instituti i Statistikave. Sipas shifrave të ofruara dje prej INSTAT-it, ky indeks, një nga më të rëndësishmit për sa i përket treguesve të ekonomisë së vendit dhe tendencave të tregut, arriti 111.8 për qind (Viti 2005 = 100), duke shënuar një rritje prej 1.0 përqindësh kundrejt tremujorit të katërt 2010. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të prodhimit është +3.1 për qind. Industria nxjerrëse shënoi një rritje prej 3.2 përqindësh.
Në këtë kategori, mund të përmendet rritja e çmimeve të produkteve në aktivitetet “nxjerrja e produkteve energjetike” me 3.6 për qind dhe “nxjerrja e produkteve jo energjetike” me 1.5 për qind. Indeksi i çmimeve të prodhimit në degën “Industri përpunuese” shënoi rritje me 1.3 për qind. Brenda saj mund të përmendet rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në aktivitetet “Industria ushqimore” me 2.5 për qind, “Industria tekstile dhe e veshjeve” me 0.6 për qind dhe “Fabrikimi i mobileve dhe shërbime të tjera” me 5.3 për qind. Indeksi i çmimeve të prodhimit për produktet vendase arriti 110.2 për qind, duke shënuar një rritje prej 0.7 përqindësh krahasuar me tremujorin e katërt 2010. Këtu mund të përmendet rritja e çmimeve në degën “Industri nxjerrëse” me 3.5 për qind.
Indeksi i çmimeve të eksportit (viti 2005 = 100) arriti 117.9 për qind, duke shënuar një rritje prej 2.1 përqindësh krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Këtu mund të përmenden rritjet e çmimeve të produkteve në degën “Industri nxjerrëse” me 2.3 për qind dhe “Industri përpunuese” me 2.5 për qind.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›