Këshilli Bashkiak, Kolegji pranon kërkesën e PD-së
Kolegji Zgjedhor ka pranuar sot kërkesën e Partisë Demokratike për shpërndarjen e mandateve për Këshilli Bashkiak të Tiranës. Trupi gjykues, me relatore Neriban Mullain ka vendosur ka caktuar mandatet për këshillin bashkiak të Tiranës mbi bazën e tabelave të grupeve të numërimit për secilën qëndër votimi.
Në një prononcim për mediat, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Oert Bylykbashi sqaroi këtë vendim të marrë nga Kolegji si dhe rrugën që do të vijohet më pas. Sipas tij, vendimi për shpërndarjen e mandateve të Këshillit Bashkiak të Tiranës duhet të ishte marrë nga KQZ, por anëtarët e opozitës nuk kanë dhënë votën e tyre.
“Kolegji morri një vendim duke mbyllur një proces të gjatë për zgjedhjet e Bashkisë së Tiranës. Jemi gati për procedurat e tjera. Gjykata vërtetoi po sot, mandatin e Lulzim Bashës. Në vijim do të vijohet me procedurat e tjera për konstituimin e këshillit dhe betimit të anëtarë të këshillit dhe kryetarit të Bashkisë. KQZ do të bëjë veprimet për njoftimin, që i duhet bërë bashkisë dhe prefektit për mandatet dhe më pas do të bëhet njoftimi i mbledhjes dhe do të përcaktohen datat përkatëse”, u shpreh Bylykbashi.