E Diel, 1 Nëntor 2026

Keshilli Bashkiak i Tiranes gati 3 projekt-vendimet e reja per Bashkine

Tre janë projekt-vendimet që do të kalojnë për miratim në mbledhjen e parë të këshillit bashkiak të Tiranës pas zgjedhjeve të 8 Majit.

I pari është propozimi për një riorganizimtë strukturës dhe organikës së Bashkisë së Tiranës.

I dyti, për heqjen e 60 tarifave vendore dhe rishikimin e disa taksave të tjera vendore në qytetin e Tiranës e i treti miratimi i krijimit të agjencisë për mbrojtjen e konsumatorit, si institucion në varësi të Bashkisë së Tiranës.

Këtë e konfirmon për “ABC News” edhe kryetari i këshillit bashkiak z.Njazi Kosovrasti sipas të cilit për dy prej tyre do të relatojë vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Për herë të parë do të ngrihet drejtoria e përgjithshme e projekteve strategjike dhe investimeve të huaja për zbatimin e projekteve të mëdha si Unaza e madhe e Tiranës, ndërtimi i bulevardit të madh nga universiteti të stacioni i trenit e deri të bregu i lumit, rehabilitimi i lumit të Tiranës si dhe projekti i tramvajit.

Një tjetër projekt-vendim shumë i rëndësishëm është heqja e 60 tarifave vendore të cilat sipas z.Kosovrasti janë në kundërshtim me kodin e procedurave civile.

Në mbledhjen e parë të këshillit bashkiak, pritet edhe miratimi i krijimit të agjencisë për mbrojtjen e konsumatorit, si institucion në varësi të Bashkisë së Tiranës.

Kjo agjenci në themel të punës së saj do të ketë mbrojtjen e disa të drejtave të konsumatorit si e drejta e mbrojtjes së shëndetit, mjedisit dhe sigurisë së jetës, e drejta për edukim, e drejta e përdorimit të shërbimeve publike dhe shume të tjera.

Sipas z.Kosovrasti, kjo agjenci është konsideruar si simbol i sinkronisë dhe bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe atij qendror.

Mbledhja e parë e këshillit bashkiak pas zgjedhjeve vendore të 8 Majit do të zhvillohet në datë 12 tetor në orën 17.00.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›