E Shtunë, 31 Tetor 2026

4 zv/ministra lënë zyrat, u zgjodhën deputetë

Nisin dorëheqjet e para përpara kalkulimeve politike për postet zv/ministrore. Katër zv/ministra të Partisë Demokratike kanë dorëzuar kërkesën e dorëheqjes pas betimit në Parlament si deputet. Të konfirmuar në pozicionin e ligjvënësit pas zgjedhjeve të 28 qershorit, zv/ministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, zv/ministrja e Arsimit, Adriana Gjonaj dhe dy zv/ministrat e Financave, Sherefedin Shehu dhe Florion Mima kanë dhënë dorëheqjen nga pozicioni që mbanin për t‘iu përkushtuar plotësisht Parlamentit. Ndërtimi i qeverisë së re duket se ka boshatisur zyrat e administratës së lartë publike, ndërkohë që pritej e kundërta. Pas zgjidhjes së dilemës së ministrave, "sekreti" i radhës janë karriget e zv/ministrave, një pjesë e së cilës u është premtuar edhe kryetarëve të partive që në zgjedhjet e fundit nuk arritën të marrin dot votat e duhura për të hyrë në Parlament. Fundjava që lamë pas ka shërbyer që zv/ministrat të dorëzojnë zyrat. Pjesa më e madhe e ministrive priten të bëhen pothuajse me tre zëvendësministra nga dy që ka pasur në fillim të marrjes së mandateve. Kabineti qeverisës pritet të ketë në përbërje gati 42 zëvendësministra, numër i mjaftueshëm për kreun e qeverisë, i cili ka mundësi të zgjedhë sa më shumë njerëz për t‘i kënaqur me nga një post të lartë zyrtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›