E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli Bashkiak miraton kredi të buta për 409 familje

Në këtë mbledhje u miratua lista e 409 familjeve që përfitojnë nga projekti për subvecionimin e interesave të kredisë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha nënvizoi se sot na jepet mundësia që të përparësojmë një nga objektivat kryesore të Bashkisë së Tiranës, që është kujdesi për shtresat e paprivilegjuara, për shtresat në nevojë, shtresa sociale që përfitojnë nga kreditë e buta të akorduara nga qeveria shqiptare për pushtetin vendor, për të përmirësuar situatën e tyre të strehimit.

Basha shprehu vendosmërinë për të vijuar procesin e evidentimin e të tjerave familjeve të cilat plotësojnë kushtet për të përfituar nga projekti për subvecionimin e interesave të kredisë për të plotësuar kuotën e vendosur nga qeveria dhe për t’ia paraqitur për vendimarrje këshillit brenda këtij viti.

“Shumë prej të interesuarve në takimet e përjavshme me ta apo në mënyrat e tjera të komunikimit, kanë kërkuar që procesi të përshpejtohej por është një proces i cili është zhvilluar në transparencë të plotë me grupet e interesit. Ne komisionin për shqyrtimin e kërkesave për kredi të buta për strehim, për herë të parë ne kemi përfshirë përfaqësues të kategorive në nevojë, të cilët kanë qenë pjesë jo vetëm e konsultimit por edhe vendimmarrjes, duke përfaqësuar në këtë proces kategoritë e veçanta dhe duke sjellë në këtë proces zërin e këtyre kategorive. Ne këtë vendimmarrje janë përfshirë edhe përfaqësuesit e shoqatës të qytetarëve me aftësi të kufizuara, të jetimëve, të përpjekurve politikë si dhe përfaqësues të komunitetit rom. Janë gjithsej  409 familje të kryeqytetit, të Tiranës të cilat përfaqësojnë shtresat më në nevojë të cilët përmbushin kushtet e parashtruara nga ne dhe nga ligji do të përfitojnë nga këto kredi të buta të akurduara nga qeveria për pushtetin vendor anë e mbanë vendit, e në këtë rast Bashkisë së Tiranës”, tha Basha.

Këshilli Bashkiak vendosi  edhe miratimin e përfundimit të procedurave të privatizimit të banesave për 74 familje, të cilat kanë mbetur pa u regjistruar në zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për lidhjen e kontratave para noterit. 

“Bëhet fjalë për një numër jo të vogël familjesh, 74 familje do të përfitojnë nga kjo masë dhe do të jenë në gjendje që përkundrejt pagesave simbolike të bëhen pronarë të ligjshëm të banesave ku kanë jetuar prej kohësh. Ky vendim nuk ezauron të gjithë problematikën, ka një pjesë jo të vogël të komunitetit i cili përsëri mund dhe duhet dhe sa më takon mua, do të përfitojë nga përfundimi i procesit të privatizimit që kanë mbetura pa u privatizuar. Ata nuk janë jashtë vëmendjes sonë përkundrazi shqetësimi i tyre është dëgjuar dhe ne kemi hedhur hapat e para në kontakt me qeverinë për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore apo të akteve nënligjore që do të bëjnë të mundur që ne të vijmë sërish para këtij këshilli me një kategori tjetër qytetarësh që po kështu banojnë në banesa prej kohësh por nuk janë pronarë të tyre. Por mendoj se vendimi i sotëm tregon se ne jemi seriozë dhe të ndjeshëm ndaj këtyre problemeve dhe se Bashkia dhe Këshilli Bashkiak nuk do të ngurrojë të marrë kohën e nevojshme të mbyllë këto çështje që kanë mbetur të hapura prej shumë kohës, vitesh apo dekadash”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Këshilli Bashkiak ka miratuar edhe vendosjen e pllakës memoriale në kujtim të holokaustit,  emërtimin e shkollës “Gjergj Fishta”  në Njësinë Bashkiake nr 11, ristrukturimin e qendrës SOCIALE “Të qëndrojmë së bashku”,  “Qendrës Komunitare Multidisiplinare për Fëmijët dhe Familjet në Nevojë”, “Qendrës Komunitare për të Moshuarit” si dhe miratimin e strukturave të tyre  organizative si dhe rishpërndarjet në buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2012. /Start/

                                                                                             2012-04-06 07:33
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›