Sot Kongresi i PBDNJ, Lluci sfidon Dulen
Krijimi i një tjetër partie që synon të përfaqësojë në mënyrë më direkte interesat e pakicës kombëtare greke, nuk është më një ide. Ajo është sendërtuar në një statut të ri, që ka marrë miratimin e grupit organizativ në një takim të zhvilluar gjatë ditës së djeshme në Sarandë. Një prej anëtarëve më aktivë të komisionit nismëtar, Ziso Lluci, ish-deputet dhe aktualisht kryetar i Komunës së Finiqit në rrethin e Delvinës, tha se është vetëm punë ditësh ligjërimi në gjykatë i forcës së re politike të minoritarëve. Me sa kuptohet ajo është projektuar dhe do të krijohet mbi bazë të pastër etnike, pasi edhe emërtimi i saj, që është tashmë jo sekret, e shpreh këtë. Sipas nismëtarëve, ajo do të quhet Bashkimi i Grekëve të Shqipërisë për Demokraci. Lluci thotë se të gjitha hapat, deri tek ai që do ta legalizojë forcën e re në spektrin politik, kanë ardhur pasi janë bërë të gjitha përpjekjet që minoriteti të vazhdonte të përfaqësohej nga PBDNJ-ja, por duke u reformuar dhe duke hequr dorë nga "privatizimi" që i ka bërë asaj Vangjel Dule dhe një grup i vogël njerëzish rreth tij. "Kërkesa jonë e vetme ka qenë dhe mbetet që minoriteti etnik grek në Shqipëri të ketë përfaqësim dinjitoz dhe të drejtpërdrejtë në politikë". Ai kujton se dy vjet e gjysmë më parë, për këtë u ranë kambanave të OMONIA-s e të PBDNJ-së, që t‘u riktheheshin interesave të popullit të minoritetit, gjë që jo vetëm nuk ndodhi, por nuk u dha asnjë mesazh se mund të ndodhte një gjë e tillë. Themeli i të gjithë reformimit, sipas tij, ka qenë dhe mbetet aplikimi i zgjedhjeve direkte, sipas parimit të njohur e të zbatuar "një minoritar, një votë". Mbi këtë element ngrihet statuti i ri i partisë së re të BGSHD-së. "Erdhi momenti të besojmë se asgjë në mentalitetin e krerëve më shumë se 10-vjeçarë të PBDNJ-së dhe OMONIA-s, (që dihet se drejtohen nga një kokë), nuk ka ndryshuar", deklarojnë nismëtarët e krijesës së re politike që u përgatitet grekëve të Shqipërisë. E reja në këtë sipërmarrje në fushë të politikës dhe përfaqësimit të minoritetit etnik grek përmes një partie vetëm me këtë pakicë kombëtare dhe jo së bashku me të tjerat (siç është PBDNJ-ja e Dules), vjen nga lëvizja e bërë dje nga grupi nismëtar në Sarandë. Komisioni i krijuar dhe anëtarët e këshillit drejtues të partisë së re, janë mbledhur dhe i kanë dhënë miratimin e plotë statutit të partisë së re, si dokumenti bazë, që së bashku me kërkesën janë mbyllur në zarf dhe i janë drejtuar gjykatës për të bërë njohjen ligjore. E gjitha kjo përkon në kohë me mbajtjen sot, më 19 dhjetor, të kongresit të jashtëzakonshëm të PBDNJ-së në Tiranë, që nuk dihet se përse është cilësuar i tillë.
Th.Nika