E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli Kombëtar i Territorit miraton Planin Kombëtar Sektorial për Gazsjellësin TransAdriatik (projekti TAP)

04-07-2013 / Gazeta 55

Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Territorit, e cila u zhvillua nën drejtimin e kryeministrit Berisha, mori sot në shqyrtim dhe miratoi, ndër të tjera, Planin Kombëtar Sektorial për gazsjellësin TransAdriatik (projekti TAP). Kryeministri Berisha, i cili u ndal gjerësisht në këtë çështje, në fjalën e mbajtur në nisje të mbledhjes, u shpreh se ky plan përbën edhe dokumentin final të autoriteteve shqiptare për konsorciumin që ndërton këtë gazsjellës në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe në pjesën detare te saj.

Duke falënderuar të gjithë ata që kontribuuan në përzgjedhjen e këtij projekti në të cilin Shqipëria ka një rol kyç, kryeministri ritheksoi se projekti është një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv për Shqipërinë dhe shqiptarët. “Ky projekt vendos Shqipërinë në një pozicion të rëndësishëm, pasi ky është dhe projekti më i madh që ndërtohet ndofta ndonjëherë në Evropë.” u shpreh kryeministri.

Kryeministri vlerësoi se “Projekti i jep zgjidhje përfundimtare projekteve energjetike të Shqipërisë, sepse burimi i gazit nga ky gazsjellës do të mund të mbështesë totalisht si industritë e vendit ashtu dhe përdorimin shtëpiak, familjar për ngrohje dhe gatim dhe me një kosto shumë të ulet sesa shpenzohet sot me energji elektrike.”

* * *

Gazsjellësi Trans Adriatik  (TAP) është një projekt rajonal i gazit natyror,  i cili do të  transportojë gaz natyror nga rezerva e fushës Shah Deniz II në Azerbajxhan, duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë, detit Adriatik dhe do të dalë në breg në Italinë e Jugut dhe më tej në tregjet europiane.

Gjurma e TAP-it do të jetë afërsisht 870 kilometra e gjatë (përafërsisht: Greqi 548 km; Shqipëri 209km; seksioni detar në detin Adriatik 105 km; Itali 4 km). Pika më e lartë e gazsjellësit TAP do të jetë 1800 metra në malet e Shqipërisë, ndërsa pika e tij më e thellë në seksionin detar do të jetë  810 metra nën nivelin e detit. Gazsjellësi  është  projektuar  për të  zgjeruar kapacitetin e transportit nga 10 në 20 mmk gaz natyror në vit, në varësi të prodhimit.

Projekti TAP  është  shumë  i rëndësishëm për Shqipërinë  sepse ai do të mundësojë  lidhjen e Shqipërisë me rrjetin e gazit natyror të të ashtuquajturit Korridor Jugor të Gazit,  duke rritur sigurinë  kombëtare dhe të  përgjithshme të  Europës për energji dhe  duke kontribuar në diversifikimin e furnizimeve të rajonit me gaz. Projekti TAP është projekti i parë, i cili do të mundësojë kalimin tranzit të gazit natyror përmes territorit shqiptar  dhe do të krijojë mundësinë e furnizimit me gaz natyror të  tregut shqiptar. Projekti TAP do të jetë një nga investimet e huaja të drejtpërdrejta më të mëdha në Shqipëri dhe si i tillë do të gjenerojë përfitime të konsiderueshme dhe perspektiva për industrinë shqiptare dhe komunitetet lokale.

Duke folur mbi Planin Kombëtar Sektorial për projektin Transadriatik (TAP), Kryeministri Berisha u shpreh:

Mbledhja e KKRT ka sot një rend dite shumë të rëndësishëm për nga çështjet që trajton. Kryefjalë e kësaj mbledhje është Plani Kombëtar Sektorial për projektin Transadriatik (TAP), i cili përbën dhe dokumentin final të autoriteteve shqiptare për konsorciumin që ndërton këtë gazsjellës në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe në pjesën detare te saj.

Siç është bërë tashmë e njohur, gazsjellësi TransAdriatik sjell gazin nga fusha e Shah Deniz 2 të Detit Kaspik, në Evropë dhe kalon në territorin shqiptar. Gazsjellësi TransAdriatik u përzgjodh nga kosnsorciumi si më i leverdishmi për këtë kosorcium për të sjellë gazin e fushave kaspike në Evropë. Ai kishte konkurrentë të tjerë shumë të fortë dhe vetë nuk ishte më i madhi. Në historikun e tij projekti njohu periudha vështirësish të mëdha, nga konkurrenca por dhe faktorë të tjerë.

Është në  vendimin vizionar të presidentit Alyev dhe të konsorciumit, të cilët për shumë arsye do të përzgjidhnin projektin më fizibël dhe do të shmangnin një nga një, gjigandë të tjerë dhe presionin e tyre politik. Të gjithë gazsjellësit e tjerë që kalonin në territorin e Evropës Juglindore përjashtonin Shqipërinë në mënyrë të pandershme, pasi territori i saj ishte briri më perëndimor i Gadishullit të Ballkanit dhe për rrjedhojë Otranto ishte gjithnjë ngushtica më e madhe në detin që ndante Gadishullin e Apenineve nga gadishulli Ballkanik.

Le t’ja lëmë historisë ato përpëlitjet  e tij të mëdha dhe presionet e mëdha, por sot ky është projekti më gjigant. Për herë të parë në histori peshku i madh nuk ha të voglin dhe TAP fillon me 40 miliard dollarë investim fillestar dhe ky është vetëm fillestar sepse fusha të tjera të mëdha gazi, nga Tukmenistani dhe zona të tjera do ti bashkohen në të ardhmen. Kjo është rruga më natyrale që lidh Azinë, Evropën, kufijtë ekstremë të saj dhe Azinë Qendrore me kontinentin Evropian.

Është një rast për të falënderuar të gjithë ata që kontribuuan në përzgjedhjen e këtij projekti në të cilin Shqipëria ka një rol kyç. TAP kalon në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe ky territor i jep këtij projekti avantazhe të paktën me 200 km më të shkurtër se të gjithë të tjerët. Projekti është një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv për Shqipërinë dhe shqiptarët. E vendos Shqipërinë në një pozicion të rëndësishëm, në problemet energjetike evropiane, pasi ky është dhe projekti më i madh që ndërtohet në Evropë, ndofta ndonjëherë.

Projekti ka meritën e madhe për shqiptarët sepse i furnizon ata me gaz nga një vend mik me një miqësi tradicionale me lidhje të hershme. Historianët do ta gjejnë koincidencën se si Kaukazian Albania po e sjell gazin në Ballkan Albania, pra ky projekt i lidh dy Albanitë, Albaninë e dikurshme të Kaukazeve me Albaninë e përjetshme në Ballkan. Dhe kjo ka një vlerë, ka një rendësi.

Projekti i jep zgjidhje përfundimtare problemeve energjetike të Shqipërisë, sepse burimi i gazit nga ky gazsjellës do të mund të mbështesë totalisht si industritë e vendit ashtu dhe përdorimin shtëpiak, familjar, për ngrohje dhe gatim dhe me një kosto shumë më të ulet sesa shpenzohet sot me energji elektrike.

Projekti gjeneron të ardhura për buxhetin e shtetit. Sipas një studimi të Oksfordit ai gjeneron për Shqipërinë rreth 150 milionë dollarë të ardhura në vit. Por në ndërtimin e tij, duke filluar nga shpronësimet deri tek punësimet janë dhjetëra, mijëra familje shqiptare që përfitojnë në të gjitha aspektet. Në trajektoren e tij do të ndërtohen shume biznese mbështetje.

Projekti TAP është një ogur i bardhë për rezervat e mëdha të gazit që mesa duket ka Shqipëria, rezerva që janë në eksplorim e sipër, kështu që në rast se nesër fusha thelbësore të gazit do të zbulohet në Shqipëri, gazi i këtyre fushave do të mund të bashkohet ose do të mund të përdoret nga TAP për tu shpërndarë drejt Evropës. Dhe së fundi, Shqipëria ka një rol kyç sepse është një nga epiqendrat e shpërndarjes së tij.

Ne firmosëm një memorandum mirëkuptimi me vendet fqinje, me Malin e Zi, Kroacinë, me Bosnjë Hercegovinën, shumë të interesuara për gazin azer. Natyrisht në fazën e parë gazi mund të mos jetë i mjaftueshëm, por e sigurt është që nga Semani i Fierit do të bëhet shpërndarja e tij, natyrisht korpusi kryesor drejt Italisë, destinacioni kryesor i këtij gazsjellësi është tregu i madh italian, por një tub nga Semani do të ngjitet drejt Veriut, Malit i Zi, Kroacisë, Bosnjës, shpresoj Kosovës dhe më tutje.

E vërteta është që BE ka parashikuar një instalacion Jonian-Adriatik Pipeline, por pa burim gazi, d.m.th. ky gazsjellës është parashikuar të shtrihet nga Fieri në Slloveni dhe në pritje të burimit të gazit, TAP-i tani është burimi më real, më i mundshëm, më i prekshëm i gazit. TAP fillon vitin e ardhshëm ndërtimin, përfundon në 2018 dhe në 2019, Shqipëria merr gazin e parë.

Edhe një herë dua të falënderoj me shumë mirënjohje presidenti Alyev i cili dëshmoi vendosmëri në këtë projekt dhe ndjenjat më miqësore ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Natyrisht, projektin e ka zgjedhur konsorciumi mbi bazën e leverdishmërisë, ekonomike, financiare, por vlerësimi dhe mbështetja e qeverisë azere dhe presidentit Alyev kanë qenë të palëkundura. Ndaj dhe  kënaqësinë që ne jemi të parët dhe siç na takonte të plotësojmë tërësisht dhe plotësisht dokumentacionin për këtë gazsjellës. Ekipet e TAP kanë udhëtuar, ka studiuar në vend të gjithë territorin shqiptar ku kalon TAP dhe ato kanë bërë takime me komunitetin, kanë bërë një punë shumë të mirë. Faktikisht me këtë leje, Shqipëria i autorizon ata të fillojnë punën në kohën e tyre më të përshtatshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›