E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i ri i PD, kryesia zyrtarizon kandidaturat e Lulzim Bashës dhe Sokol Olldashit

04-07-2013 / Gazeta 55

Më 22 korrik anëtarësia do ti drejtohet kutive të votimit për lidershipin e ri demokrat


- Basha: Nga procesi zgjedhor do të dalim më të bashkuar se kurrë


- Olldashi: Anëtarësia do të gjykojë vetë


UPDATE- Kryesia e Partisë Demokratike mori sot në shqyrtim kandidaturat për zgjedhjet që do të zhvillohen në parti për postin e kryetarit të ri të saj. Kjo mbledhje e drejtuar nga Kryeministri Berisha zyrtarizoi katër kandidatura. Konkretisht kandidatët zyrtar janë Lulzim Basha, Sokol Olldashi, Astrit Sinani dhe Sokol Prekë Paja. “Eshtë e rëndësishme që anëtarët e PD kanë deklaruar angazhim në një proces vendimtar për partinë. Duhet të shndërrohemi në një opozitë të fortë dhe të ndajmë parimet e partive simotra. Një opozitë e fuqishme e cila të shkojë e sigurt drejt fitores së ardhshme”, vuri në dukje Berisha. Por nga ana tjetër, lideri demokrat insiston në zhvillimin e një garë të qytetëruar, transparente dhe të pa ndikuar nga presionet. “Në procesin e zgjedhjes së lidershipit të ri, asnjë nuk mund të përdorë pushtetin e tij. Nëse dikush do të lobojë për kandidatin që preferon, duhet të japë dorëheqjen nga forumet drejtuese të partisë. Do realizojmë procesin më të civilizuar që kjo parti ka zhvilluar ndonjëherë, lidershipi i ri do realizojë qëllimin tonë. Ai që do të zgjidhet nga kryesia e partisë, ai do të  zgjedhë edhe ekipin që ai mendon se na çon më shpejt në pushtet. Anëtarësia e PD të përçmojë të gjithë ata që do të tentojnë të ndërhyjnë në proces”, vlerësoi Berisha. Janë katër kandidatura për kreun e ri të PD, Lulzim Basha, Sokol Olldashi, Astrit Sinani dhe Sokol Prekë Paja, ndërsa kërkesat e tjera nuk respektojnë statutin e PD. “Kandidaturat që përcaktojnë kriteret sipas zyrës së organizimit në parti, janë kryebashkiaku Lulzim Basha, ministri Sokol Olldashi, Astrit Sinani, anëtar i PD dega Fier, Sokol Prekë Paja anëtar dega Tiranë. Kandidaturat e tjera për shkak të mosqenurit anëtar i PD në bazë të statusit nuk mund të kandidojnë për kryetar të saj”, sqaroi Berisha.


Lulzim Basha: Nga procesi zgjedhor do të dalim më të bashkuar se kurrë


Kandidati për kreun e PD, Lulzim Basha në një prononcim për mediat pas mbledhjes së kryesisë, u shpreh se procesi zgjedhor do t’i shërbejë unifikimit të PD. “Kryesia ka marrë vendimin sot për zyrtarizmin e kandidaturave. Natyrisht, dua të shpreh mirënjohjen time për këtë vendim si edhe bindjen time që nga ky proces do të dalim më të vendosur dhe më të bashkuar”- u shpreh z.Basha. Ai garantoi se do të njohë dhe pranojë rezultatin që do të dalë nga vota e anëtarësisë së Partisë Demokratike. 


Sokol Olldashi: Anëtarësia do të gjykojë vetë


Për ministrin e Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi gara për lidershipin e ri demokrat, do të jetë një garë shumë dinjitoze dhe pozitive. Ai tha se anëtarësia do të gjykojë vetë me votën e 22 korrikut. “Jam i bindur që do të zhvillojmë një garë dinjitoze, shumë pozitive dhe e cila do ti japë strukturave të Partisë Demokratike mundësinë që të gjykojë dhe të arrijë me një vendim me votën e vetë të datës 22 korrik”- u shpreh ai. Pranimi i rezultatit, për z.Olldashi është një çështje që as duhet të vihet në pikëpyetje.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›