Votat e gabuara, PS e PD ndryshuan qëndrim
Ndryshe nga sa pretenduan, për gjithë procesin e vlerësimit të votave të gjendura në kutitë e gabuara për kryetarin e Bashkisë Tiranë, socialistët në dy mbledhjet e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve këmbëngulën që këto lloj votash të përfshiheshin në tabelat e rezultateve për këshillat e minibashkive dhe atë të Bashkisë së kryeqytetit. Madje, pikërisht sepse KQZ nuk i përfshiu një pjesë të këtyre votave të gjetura gjatë procesit të dytë të hapjes së kutive në tabelat e rezultateve për këshillat minibashkiakë, opozita nuk e votoi projekt-aktin e paraqitur nga administrata, çka detyroi demokratët që t’i drejtoheshin Kolegjit Zgjedhor për zgjidhje. Një kërkesë kjo që bëri që palët në këtë proces zgjedhor të ndryshonin rolet. Kjo pasi ndërsa në garën për kryetar të bashkisë ishte Partia Socialiste ajo që kundërshtoi këtë proces vlerësimi të këtyre votave si antiligjor, në rastin e këshillave bashkiakë ajo kërkoi që në tabelën përmbledhëse të rezultatit, mbi bazën e të cilit do të bëhej dhe ndarja e mandateve të përfshiheshin dhe votat e gjendura në kutitë e gabuara. Çka u kundërshtua nga demokratët, si një veprim që binte ndesh me vendimin e Kolegjit Zgjedhor, i cili trajton vetëm çështjen e votave të gjendura për kryetar të bashkisë dhe jo votat e tjera. Por ndërsa në rastin e këshillave të minibashkive, votat e gjetura pas procesit të dytë të hapjes së kutive nuk u pranuan nga shumica e djathtë, në atë të këshillit të bashkisë së madhe, ata ranë dakord që aty të llogaritej çdo votë e gjetur. Por pavarësisht kësaj tërheqje, socialistët sërish nuk pranuan të votojnë pro tabelës së rezultatit edhe për këshillin bashkiak, duke pretenduar se votat e gjetura nuk ishin reflektuar sipas çdo qendre votimi dhe çdo KZAZ-je.