Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë kërkesë Kuvendit: 17 shkurti të shpallet Festë Zyrtare

17 shkurti, dita e Pavarësisë së Kosovës, të shpallet Festë Zyrtare e Shqipërisë. Është kjo kërkesa që Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i ka drejtuar Kuvendit.
KASH vlerëson se 17 shkurti është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë kombëtare dhe për të cilën kanë kontribuar shqiptarët anembanë botës, me mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve, BE-së, NATO-s dhe vendeve të tjera aleate dhe mike.
“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Kuvendit, më dt. 21 Shkurt 2023, për të ndërmarrë nismat përkatëse ligjore për ta shpallur këtë datë Festë Zyrtare të Republikës së Shqipërisë. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson se një vendim i tillë do të gëzonte dhe do të mbështetej nga çdo shqiptar kudo ku jeton, pavarësisht bindjeve politike”, thuhet në kërkesë.
Më 17 shkurt të 2023, Kosova festoi 15-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Prej 17 shkurtit të vitit 2008 Ballkanit iu shtua edhe një shtet i ri, Kosova, e cila filloi të njihej menjëherë nga shtetet mike, ku deri më tani ajo është njohur nga 113 shtete në botë. Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme. Për këtë ajo kërkoi edhe opinion këshillues nga Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë në 2008, kërkesë që u hodh poshtë nga kjo gjykatë më 22 korrik 2010. Më 18 shkurt 2008 presidenca e BE vendosi që vendet anëtare të ishin të lira për të vendosur nëse do ta njihnin pavarësinë e Kosovës. Shumica e vendeve të unionit e kanë njohur Kosovën, por Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja ende nuk e njohin.
/rtsh.al/