E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Meta 3 orë dëshmi në SPAK: U thirra për CEZ-DIA! Çështja rihapet sa herë Rilindja është në krizë

3 orë ka zgjatur dëshmia e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta në zyrën e prokurorit të SPAK lidhur me çështjen CEZ-DIA.

Në një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të SPAK, Meta tha se ai nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje, por ka dhënë dëshmitë e tij si person që ka dijeni për çështjen.

Sipas Metës, kjo është një çështje e zbardhur pasi i ka dhënë përgjigjet vite para, dhe rihapja e kësaj, për të, ka prapavijë politike.

“Me ca kuptova kishte të bënte me çëshjen e CEZ-DIA, ku u pyeta në cilësinë e personit që ka dijeni. Është një çështje që riaktivizohet sa herë që rilindja është në krizë, unë jam i detyruar ndaj institucioneve të drejtësisë dhe jam përgjigjur me shumë durim dhe qetësi si person që ka dije për rrethana të caktuar dhe persona të caktuar.

Mendoj që kam dhënë sqarime shteruese që në 2015 kur është rihapur kjo çështje në publik. Ilir Meta nuk ka asnjë lidhje me çështjen e privatizimit të CEZ pasi ka qenë në opozitë. Nuk kam asnjë lidhje me CEZ-DIA pasi kjo marrëveshje është bërë në kohën që unë kam qenë Ministër i Ekonomisë që nuk kisha lidhje me asnjë prej tyre”, tha Meta.

Meta sqaroi se gjatë kohës që ai ka qenë ministër i Ekonomisë nuk ka pasur asnjë lidhje me vendimet për privatizimin e CEZ, apo CEZ-DIA, duke akuzuar qeverinë për lakimin e emrit të tij në media.

“Gjatë 4 muajve si ministër i Ekonomisë , CEZ jo vetëm që nuk ka përfituar asgjë nga qeveria dhe nga ministria që drejtoja unë, po kemi qenë në debate të vazhdueshme për mungesën e performancës së tyre, pasi nuk po bënin investimet sipas detyrimeve që kishin marrë. Pasi ERE mori një vendim, që në gjykimin tonë favorizonte CEZ në raport me KESH, ministria e Ekonomisë e ka kundërshtuar këtë vendim dhe drejtori i KESH që ka qenë në varësinë time, ka kundërshtuar vendimet e ERE-s dhe përplasja ka qenë e fortë mes qeverisë dhe ERE.

Është shumë e qartë që sot dhe ansjëherë nuk mund të ftohem për të dhënë asnjë sqarim për asnjë vendim timin që kanë të bëjnë me përmbushjen e funksionit zyrtar në atë periudhë apo periudhë tjetër pasi kam qenë gjithmonë në respektim të ligjit. Nuk ka asnjë fakt dhe akt që të më lidh mua në shkeljet ligjore. Emrin tim e lidhin me portalet, përgjigjet e mia janë të qarta. Endri Fuga bën portalet, portalet krijojnë shqetësimin e arsyeshëm dhe lindin çështje”, tha Meta.

Në fund, Meta i bëri thirrje SPAK që të hetojë dosjet e shumta që ai dhe partia e tij ka sjellë për abuzimet që janë bërë që nga inceneratorët e deri tek falsifikimi i firmës të ish kryetarit të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit, kur ai ishte në krye të këtij institucioni.

“Këtu janë një mal me dosje dhe abuzimet me miliarda euro. Ju i dini kush i ka dhënë udhëzimet që të thirrem në SPAK dhe nuk pengoj askënd që merr udhëzime nga kongresi i partisë. Ashtu sikurse e dinë që janë me dhjetëra kallëzime të mijat edhe kur kam qenë president për çështje të veçanta apo për denoncimin e Kuvendit dhe falsifikimit të firmës të kryetarit të Kuvendit”, tha Meta.

I pyetur nga gazetarët nëse rrezikon arrestimin, Meta me të qeshur iu përgjigj “Po mos mor”, duke lënë të kuptohet se një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur.

Kreu I Partisë së Lirisë, Ilir Meta u paraqit sot në SPAK (22 shkurt 2023) në orën 10:15, ku u përgjigj para prokurorëve për 3 orë për çështjen CEZ-DIA.

Dosja e CEZ-DIA është rihapur në prill të vitit 2022, pas një kallëzimi në SPAK nga Partia Socialiste, për vjedhje të parave publike. Shitja e 75 % të aksioneve të OSSH tek CEZ-DIA u cilësua abuzive dhe prishja e kësaj kontrate i shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm mbi 414 mln euro.

Për këtë çështje deri  më tani është dënuar Kastriot Ismailaj me 11 vite burg për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.  Ai ishte administrator i kompanisë DIA, e ngarkuar për mbledhjen e borxheve të CEZ, ku u përfshi në një skemë mashtrimi, duke shkatërruar edhe raportet mes shtetit shqiptar dhe CEZ, me kosto të madhe për buxhetin e shtetit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›