E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Japonia me sytë nga Shqipëria, ambasador përgjegjës për rajonin! Rama: Të mundësohet lëvizja pa viza

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare 4-ditore në Tokyo, Kryeministri Rama është takuar me homologun e Japonisë Fumio Kishida. Gjatë takimit bilateral, dyshja ka rikonfirmuar qëndrimin për dënimin e agresionit rus në Ukrainë. Pas takimit, Rama dhe Kishida kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media, ku Kryeministri Japonez ka bërë me dije se së shpejti do të vizitojë Tiranën, ndërsa theksoi më tej se Shqipëria është faktor stabiliteti në Ballkan. –

Në foto: Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Japonisë Fumio Kishida,në Tokio, 20 shkurt 2023

“Ne bëmë një vlerësim të situatës të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke përfshirë dhe importin tonin dhe ngritjen e dhomës së tregtisë Shqipëri-Japoni. Do kemi nxitje të eksporteve nga Shqipëria dhe investimeve nga Japonia. Paqja dhe stabiliteti rajonal është i rëndësishëm për bashkësinë ndërkombëtare. Përmes nismës së përbashkët të Ballkanit Perëndimor, Japonia synon forcimin e nismës për të mbështetur reformat në përpjekjet e tyre për integrimin në BE. Pas kësaj konference, do të diskutojmë përgjatë darkës për marrëdhëniet mes dy vendeve. Shpresoj që përmes vizitës të forcojmë bashkëpunimin mes dy vendeve“, tha Kushida. Më tej, Kryeministri japonez njoftoi se së shpejti do të emërohet një ambasador përgjegjës për Ballkanin Perëndimor.

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama vuri theksin te rritja e bashkëpunimeve mes dy vendeve, ndërsa u shpreh se qeveria japoneze duhet të mundësojë udhëtimin pa viza të shqiptarëve në Japoni.

“Duke shpresuar se së shpejti qeveria japoneze do bëjë të mundur që shqiptarët të udhëtojnë pa viza në Japoni ashtu sikurse japonezët e bëjnë në Shqipëri. Ne presim me padurim që ky bashkëpunim të forcohet“, tha Rama teksa iu bashkua homologut japonez për të “theksuar nevojën dhe dëshirën për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe për të parë që të ketë më shumë gjëra të ndodhin mes dy vendeve tona”.

Në foto: Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Japonisë Fumio Kishida,në Tokio, 20 shkurt 2023

Kreu i qeverisë ka vlerësuar vendimin e qeverisë japoneze për emërimin e një ambasadori përgjegjës për Ballkanin Perëndimor. Për Ramën, prania e Japonisë në rajon, është mjaft e rëndësishme.

“E vizitoj Japoninë pasi kam fituar 3 zgjedhje dhe shpresoj që ju të vizitoni Shqipërinë dhe rajonin së shpejti. Është lajm i shkëlqyer të dëgjosh që do emëroni një ambasador përgjegjës për Ballkanin Perëndimor. Është e një rëndësie thelbësore që Japonia të jetë më e pranishme në rajonin tonë. Kemi bashkuar forcat për të mbështetur Ukrainën dhe bashkërisht dënojmë agresionin rus. Është një shkelje e papranueshme e së drejtës ndërkombëtare dhe sulm i papranueshëm. Do vazhdojmë të punojnë së bashku në Këshillin e Sigurimit. Kemi parë me shumë interes strategjinë kombëtare të mbrojtjes që ai ka hartuar. I shpreha vlerësimet më të larta për këtë dokument mjaft të plotë që përfshin çështjet e këtyre kohëve shqetësuese. Jemi larg gjeografikisht. Por në një botë që është e përfshirë gjithnjë e më tepër nga krizat e papritura, ajo që na bashkon janë vlerat. Të jesh pjesë e kësaj familje vlerash është shumë më e rëndësishme sot se dje.

Pas konferencës së përbashkët, dy liderët do të diskutojnë përgjatë darkës për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Japonisë. Kryeministri Rama gjatë vizitës zyrtare 4-ditore në Tokyo, në kuadër të 42-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Japonisë, është pritur në takim edhe nga Kryetari i Kuvendit Hiroyuki Hosoda dhe grupi parlamentar i miqësisë Japoni-Shqipëri.

Në këtë vizitë zyrtare 4-ditore në Japoni, kryeministri Rama shoqërohet nga Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›