-Keshilli i Ambasadoreve te Aleances se NATO-s mbeshtetje Shqiperise per integrimin euroatlantik- Kryeministri Fatos Nano gjatë vizitës së sotme në Bruksel zhvilloi një takim me Sekretarin e P
-Keshilli i Ambasadoreve te Aleances se NATO-s mbeshtetje Shqiperise per integrimin euroatlantik-
Kryeministri Fatos Nano gjatë vizitës së sotme në Bruksel zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jaap de Hoop Scheffer. Në këtë takim dy personalitetet e larta diskutuan mbi ecurinë e procesit të reformave te gjithanshme në Shqipëri, për përgatitjet e Shqipërisë për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, si dhe mbi situatën në rajon e në mënyrë të veçantë në Kosovë.
Me pas te dy autoritetet i jane drejtuar Keshillit te Ambasadoreve te Aleances se NATO, ku zoti Nano ka mbajtur nje fjale mbi zhvillimet ne vend,reformat e ndermara nga qeveria dhe progresi i arritur,hapat e bera ne drejtim te standarteve ne drejtim te te drejtave te njeriut si dhe per situaten ne rajon etj. Ambasadoret kane vleresuar hapat e bera dhe progresin e dukshem, si dhe kane inkurajuar vazhdimin e hapave integruese te Shqiperise dhe rolin e saj shume te vleresuar ne rajon.
Menjëherë pas ketij takimi të dy personalitetet e larta deklaruan përpara medias:
Sekretari i Përgjithshëm i NATO- s Jaap de Hoop Scheffer: Kam nderin te pres këtu në Shtabin e Përgjithshëm të NATO-s në Bruksel Kryeministrin e Shqipërisë, Fatos Nano. Më lejoni të them se patëm një bisedë shumë produktive dhe interesante në Këshillin e Ambasadorëve të NATO-s.
Natyrisht, Shqipëria një vend i rëndësishëm i angazhuar në Planin e Veprimit për Anëtarësim sëbashku me Maqedoninë dhe Kroacinë, të cilat luajnë një rol shumë të rëndësishëm në Kartën e Adriatik 3 dhe gjithashtu mund të them se ato luajnë një rol shumë të rëndësishëm edhe në rajon. Ne diskutuam gjithashtu edhe për Kosovën dhe për rolin moderator që Shqipëria është duke luajtur në këtë drejtim. Më lejoni ta ritheksoj se integrimi Euro-Atlantik në këndvështrimin e aleatëve, është një proces që synon paqen dhe stabilitetin në Ballkan.
Sigurisht ne diskutuam edhe për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Më lejoni të falenderoj publikisht Kryeministrin dhe Qeverinë e Shqipërisë për pjesëmarrjen e saj në shumë operacione paqeruajtëse të rëndësishme. Po ashtu dëshiroj të theksoj se Shqipëria ka bërë shumë progres në reformat në fushën e mbrojtjes dhe kjo ishte edhe një nga çështjet e diskutuara me aleatët.
Ajo që ne mendojmë sëbashku dhe që ka rëndësi të madhe janë zgjedhjet në Shqipëri. Zgjedhjet janë një objektiv shumë i rëndësishëm, ashtu si dhe procesi i reformave në Shqipëri.
Gjithashtu, është e rëndësishme vazhdueshmëria e procesit dhe rikonfirmimi që ne morëm nga Kryeministri Nano në procesin e rëndësishëm të reformave si ato në rend, në sistemin e drejtësisë, luftën kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit. Kjo është një ambicie dhe objektiv i përbashkët me Kryeministrin, qeverinë shqiptare dhe aleatët dhe do të punojme bashke qe këto hapa të sjellin rezultate.
Më lejoni të them se këto zgjedhje do të jenë një objektiv shumë i rëndësishëm dhe ne kemi vlerësuar atë që është bërë deri tani në reformën elektorale dhe ne besojme që në fund të themi se këto zgjedhje ishin të lira dhe të ndershme.
Më lejoni të përfundoj duke cituar Presidentin Bush në Samitin e 22 shkurtit në Bruksel, (gjë që u rikonfirmua edhe nga ambasadorët e Këshillit) dhe më lejoni ta them dhe unë se procesi i anëtarësimit në NATO dhe integrimi europian janë procese të bazuara mbi performancën. Kështu aleatët në fund do të gjykojnë mbi performancën individuale të çdo vendi, që aspiron të bëhet vend anëtar i NATO-s. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Shqipërinë.
Aletatët e inkurajuan Kryeministrin, duke e falenderuar për vizitën dhe duke e siguruar edhe një herë atë për mbështetjen që Aleanca do t'i japë Shqipërisë për arritjen e objektivit të saj për integrimin euroatlantik.
Kryeministri Fatos Nano: Unë dua të rikonfirmoj se vizita ime në Shtabin e Përgjithshëm të NATO-s dhe vëmendja juaj e veçantë, z.Sekretar i Përgjithshëm si lidershipi i NATO-s, që po tregoni në drejtim të Shqipërisë dhe rajonit më ka ndihmuar edhe mua,- sot kemi patur një ditë shumë produktive pune me Këshillin e Ambasadorëve të NATO-s, për ta bërë procesin sa më gjithëpërfshirës dhe për t'u fokusuar akoma më mirë në prioritetet e bashkëpunimit për anëtarësim që Shqipëria dhe NATO po zhvillojnë tani në ciklin e 6 të Planit të bashkëveprimit për anëtarësim.
Dua t'i rikonfirmoj Sekretarit të Përgjithshëm dhe Këshillit të Aleancës se ne e konsiderojmë integrimin në NATO dhe procesin për integrimin në Bashkimin Europian të lidhur në mënyrë racionale me prioritetin strategjik për rritjen e Shqipërisë në rajon dhe në botë, si partner i përgjegjshëm dhe vend proaktiv me aleatët dhe të forcave të tjera globale që synojnë paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rajonin tonë. Ne duhet të pranojmë që në 5 fushat kryesore të bashkëpupunimit për anëtarësim në NATO, ku përfshihen që nga reformat ligjore deri tek siguria, të kapaciteteve dhe burimeve njerëzore janë bërë progrese të dukshme dhe ne ndamë me Aleancën, Sekretarin e Përgjithshëm të saj dhe vendet anëtare më shumë angazhime gjithëpërfshirëse dhe ne do të vazhdojmë jo thjesht të vlerësojmë këtë progres të qëndrueshëm dhe aftësinë për ta konsoliduar më tej atë, por gjithashtu për dinamizimin e të gjithë procesit të përafrimit të Shqipërisë me standartet dhe kërkesat për anëtarësim.
Unë e garantova Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe anëtarët e Këshillit se ne po ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm ligjorë dhe të gjitha garancitë që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të jenë në standartet ndërkombëtare. Procesi është shumë transparent dhe jam i sigurtë se çdo sy që do të vazhdojë të fokusohet mbi zgjedhjet në Shqipëri do të arrijë në konkluzionin që ky proces është i hapur për të gjithë, si dhe ekzistojnë të gjithë garancitë për të patur një proces electoral normal, garanci që tashmë janë konsoliduar.
Unë ritheksova angazhimin e qeverisë që standartet e këtyre zgjedhjeve për maxhorancën që unë drejtoj janë më të rëndësishme se sa rezultati i tyre.
Lidhur me progresin dhe ceshtjet, me të cilën ne po përballemi dhe që ne ndajmë me partnerët tanë, në fusha sensitive si lufta kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar, unë pata mundësi të ndaj më shumë informacion me Këshillin e Atlantikut të Veriut për legjislacionin e ri dhe rritjen e kapaciteteve që ne po ngremë dhe që po i sjellin treguesit në këto fusha sensitive në situata më kredibël për progres dhe bashkëpunim të mëtejshëm me forcat e specializuara të aleatëve dhe vendeve të tjera anëtare, që do të konsolidojnë dhe ndihmojnë në zhvillimin demokratik dhe prospektiv të rajonit në një mijëvjeçar më të sigurtë.
Ne presim të vazhdojmë më tej këtë bashkëpunim shumë proaktiv me Aleancën, e cila ka në themel procesin e bashkëpunimit në kuadër të Kartës Adriatik 3, gjithashtu treguesit dhe kapacitetet e Shqipërisë mbi bazat e një vlerësimi individual do të konsiderohen në kuadër të Samitit të ardhshëm të NATO-s, për të marrë ftesën e merituar, që të gjithë e presim, për anëtarësim në NATO.
Ju falenderoj z.Sekretar i Përgjithshëm për mundësinë që na krijoni dhe për klimën shumë të favorshme të bashkëpunimit me ju.