Zëvendëskryeministri Namik Dokle priti sot në një takim delegacionin e Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës, të kryesuar nga Presidenti i këtij Kongresi, zoti Giovanni D
Zëvendëskryeministri Namik Dokle priti sot në një takim delegacionin e Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës, të kryesuar nga Presidenti i këtij Kongresi, zoti Giovanni Di Stasi. Në takim u trajtuan çështje të ecurisë së reformave të decentralizimit në Shqipëri dhe u ndanë vlerësime të njëjta për ritmet, drejtimet dhe rezultatet e këtij procesi.
Zoti Giovanni Di Stasi përcolli përgëzimet për hapat e hedhur nga Qeveria shqiptare në procesin e decentralizimit, duke e konsideruar si një faktor shumë të rëndësishëm në ndërtimin e demokracisë.
Zëvendëskryeministri Namik Dokle ritheksoi vendosmërinë e Qeverisë shqiptare për të ndërmarrë të gjithë reformat e nevojshme në fushën e decentralizimit dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me Kongresin e Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës, jo vetëm për suksesin e reformës së decentralizimit në vendin tonë, por edhe në zgjerimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit dhe integrimit të tyre në BE.
Të dy palët u shprehën në mbështetje të nismës për Eurorajonin e Adriatikut, nismë që do të zgjerojë hapësirat dhe faktorët e integrimit lokal e rajonal e do të mundësojë përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor në BE.
Në takim u diskutua edhe për përgatitjen e zgjedhjeve të reja të përgjithshme në Shqipëri. Zoti Dokle nënvizoi se qeveria është e angazhuar dhe po punon me qetësinë dhe seriozitetin e nevojshëm për të mundësuar zgjedhje të standarteve të kërkuara. Ai ritheksoi mesazhin e Kryeministrit Nano se "për ne standartet janë më të rëndësishme se rezultati".