Këshilli i Europës: Protestuesit e 21 janarit u torturuan në komisariate e burgje. Duam hetim urgjent
Komiteti i Parandalimit të Torturës i Këshillit të Europës ka hartuar raportin e plotë për shkeljet që janë vërejtur gjatë shoqërimit dhe arrestimit të demonstruesve më 21 janar. Pak ditë më përpara, ky komitet lëshoi një deklaratë ku u shpreh se protestuesit u vranë jashtë perimetrit të sigurisë. Por raporti i plotë nxjerr në pah dhunën shtazarake që është ushtruar mbi demonstruesit e 21 janarit.
Për këtë arsye, Komiteti ka kërkuar që brenda tre muajsh të ketë hetim për këtë dhunë dhe më pas të ketë një përgjigje për veprimet konkrete. Delegacioni i Këshillit të Europës ka mbetur i befasuar sidomos nga dhuna e ushtruar në burgje. Më poshtë lexoni pjesët më kryesore të këtij raporti.
Një numër personash pretendojnë se në momentin e arrestimit, ata kanë qenë subjekt i dhunës së tepruar nga oficerët e policisë, të cilët në disa raste ishin persona civilë, që nuk e identifikonin veten si oficerë policie. Ata thonë se janë rrahur e goditur me shkopinj gome, pasi janë sjellë nën kontroll (për momentin ata janë tërhequr zvarrë në furgonat e policisë).
Shumica dërrmuese e personave të arrestuar të intervistuar nga delegacioni pretendojnë se kanë qenë subjekt keqtrajtimi fizik nga oficerët e policisë ne ambientet e godinave të ndryshme policore (në veçanti në komisariatet numër 1, 2 dhe 4 si dhe në Drejtorinë e Përgjithshme), si dhe gjatë transportimit për në ambientet e komisariatit ose mes dy komisariateve. Shumica e pretendimeve janë se ata janë goditur me grushta, shqelma e shuplaka dhe me shkopinj gome në disa pjesë të trupit, përfshi edhe kokën. Gjithashtu ata përshkruan si një praktikë sistematike vendosjen e policëve në dt radhë, ndërkohë që të arrestuarit kalonin mes tyre, duke u goditur nga oficerët e policisë në mënyrë kolektive. Disa persona thonë se janë sulmuar fizikisht nga vetë shefi i komisariatit të policisë numër 2 në Tiranë. Përveç kësaj, ka pasur edhe pretendime se disa persona janë goditur e rrahur nga oficerët e policisë në shkallët e gjykatës.
Delegacioni gjithashtu ka marrë një numër pretendimesh nga personat e arrestuar se gjatë marrjes në pyetje ata janë detyruar të nënshkruajnë deklarata të përgatitura më përpara për të rrëfyer krimin që supozohet se kishin kryer. Për këtë qëllim, oficerët e policisë kanë ushtruar dhunë fizike dhe i kanë kërcënuar ata. Për më tepër, thuajse të gjithë personat që u morën në intervistë, thonë se gjatë kohës që mbaheshin në rajonet e policisë, ata nuk janë lejuar të kontaktojnë të afërmit ose avokatët, e as nuk kanë pasur mundësi të përfitojnë nga prania e avokatit gjatë marrjes në pyetje nga policia. Përveç kësaj, shumë nga personat e goditur, thonë se ndërsa rriheshin, atyre i ulërinin duke u thënë ti ke goditur një oficer policie. Kjo nënkupton që keqtrajtimet e pretenduara bëheshin si një formë hakmarrje për plagosjen e disa oficerëve të policisë gjatë demonstratës. Duhet theksuar se nuk ka pasur asnjë pretendim për dhunë nga policia nga ata persona që janë arrestuar disa ditë pas demonstratës.
Një numër personash të arrestuar pretendojnë se janë keqtrajtuar fizikisht nga oficerët e burgut pas pranimit në burgun 313. Keqtrajtimi konsistonte kryesisht në goditje me grushta, shqelma dhe shkopinj gome. Është shumë shqetësues se disa të burgosur thonë se janë rrahur në prani të drejtuesit të burgut. Disa nga personat e arrestuar kishin shenja të dukshme plagësh, që përkojnë me pretendimet e tyre. Por në burg ata nuk u lejuan ti nënshtroheshin një ekzaminimi fizik nga stafi mjekësor. Edhe kur u bë një gjë e tillë nga doktori i burgut, kontrolli ishte shumë i kufizuar në disa intervista kolektive. Disa nga personat, u takuan me doktorin për herë të parë ditën kur delegacioni vizitoi burgun 313. Nuk u mbajt asnjë dokument mjekësor nga shërbimi mjekësor i burgut. Një gjendje e tillë është e papranueshme.
“Duhet shtuar se pavarësisht faktit se një numër i personave të arrestuar, të pranuar në burg, kanë pasur shenja të dukshme dhune dhe kanë bërë akuza të qarta për keqtrajtim policor, asnjë rast nuk është njoftuar tek prokurori relevant (siç kërkohet nga Kodi i Procedurës Penale).
