E Shtunë, 31 Tetor 2026

Keshilli i Europes dhe Marti

Ditët e fundit është hapur një debat i madh lidhur me ngjarjet e periudhës së luftës në ish-Jugosllavi dhe konkretisht në Kosovë. Një pjesëtar i një institucioni mjaft të nderuar në Shqipëri, si Këshilli i Europës, ka hedhur akuza mjaft të rënda madje monstruoze për trafik të organeve njerëzore, i kryer në vitin 1999 në territorin e Kosovës dhe Shqipërisë. Të akuzuar për kryerjen e këtij krimi janë ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por në mënyrë pothuajse direkte akuzohen dhe institucionet e shtetit shqiptar për mosveprim ose përkrahje të krimit, pasi krimi ka ndodhur në Shqipëri. Dhe kjo akuzë bëhet jo thjesht nga një anëtar i Këshillit të Europës por nga një ish-prokuror. Ky fakt është i mjaftueshëm që ne ta dëgjojmë dhe vlerësojmë me kujdes.

Unë nuk marr përsipër të bëj një lloj analize të faktit, por si qytetar, jurist dhe prokuror, do përpiqem ta trajtoj, në mënyrë modeste dhe jo shteruese në vështrimin legal, në kuadrin e së drejtës penale ndërkombëtare.

Çdo qytetar, juristi, aq më tepër prokuror, sapo vihet në dijeni të këtij fakti do t’i vijë ndërmend detyrimi që ka për ta kallëzuar atë në cilindo organ, institucion ose agjenci të mundshme kombëtare ose ndërkombëtare, me qëllim hetimin, zbulimin e së vërtetës dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të mundshëm.

Po cili ishte momenti kur z. Marti erdhi në dijeni të këtij të ashtuquajtur fakt kriminal? Unë nuk jam në gjendje të përcaktoj kohën se kur ai erdhi në dijeni të këtij fakti, por jam në dijeni që ai e ka raportuar, kallëzuar, në një Komision të Këshillit të Europës. Pas këtij momenti më lindin një sërë pyetjesh. A është ky institucioni që ka të drejtën dhe ndoshta detyrimin që ta hetojë këtë të ashtuquajtur fakt kriminal? Nëse jo, cili është ky institucion? Nëse ka një të tillë, a duhej që z. Marti ta bënte publik këtë fakt apo ta kallëzonte në këto institucione dhe në konspiracion të plotë të kryhej hetimi i tij? A janë dëmtuar hetimet rreth këtij fakti pas publikimit të tij? A mund të humbasin provat e mundshme për vërtetimin e këtij të ashtuquajturi fakt?

Para se të mundohem t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve duke analizuar të supozuarin si fakt kriminal, konstatoj se veprimet lidhur me vrasjen, heqjen dhe trafikimin e organeve të burgosurve të luftës përbëjnë krime lufte, që sipas parimeve të së drejtës janë krime ndërkombëtare. Këto krime janë kryer në territorin e ish-Jugosllavisë dhe në Shqipëri.

Juridiksionin për hetimin e këtyre krimeve e ka Serbia, sipas parimit të personalitetit pasiv pasi janë të dëmtuar, ose supozuar, shtetasit e saj dhe Shqipëria e Kosova sipas parimit të territorialitetit si vend ku ka ndodhur krimi. Por gjithashtu cilido shtet në glob mund ta hetojë dhe të ndëshkojë autorët e këtij krimi, sipas parimit të juridiksionit universal, i cili i mundëson çdo shteti të ndërmarrë procedura hetimore ndaj autorëve të krimeve ndërkombëtare, pavarësisht nga shtetësia apo vendi i kryerjes së tyre. Ky parim është pranuar nga Statusi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, miratuar në Romë, më 17 Korrik 1998.

Çfarë kanë bërë këto shtete që nga momenti i supozuar i kryerjes së këtij krimi, a i kanë hetuar këto fakte kriminale, a i kanë kryer të gjitha veprimet e duhura dhe të mundshme me qëllim zbardhjen e së vërtetës? Përgjigjja është Po. Edhe Serbia, edhe Shqipëria, edhe Kosova, nëpërmjet institucioneve të saj dhe atyre ndërkombëtare, sipas informacioneve publike, kanë kryer hetime rreth këtyre fakteve që në vitin 2000 kur ka filluar të qarkullojë një dyshim i tillë.

Por cili ka qenë përfundimi? Në asnjë nga këto hetime nuk është zbuluar asnjë provë e vetme direkte ose indirekte për vërtetimin e këtyre fakteve. Dhe në këtë përfundim, deri më sot, kanë dalë hetimet jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por dhe ato në Serbi.

Skeptikët mund të mendojnë që për arsye të kuptueshme hetimet e kryera në Shqipëri e Kosovë mund të mos jenë plotësisht objektive. Po a ka një institucion ndërkombëtar që mund dhe duhet të hetonte këtë fakt kriminal që përbën krim ndërkombëtar? Përgjigjja është po. Është Gjykata “ad hoc” e krijuar me rezolutën nr. 827, datë 25.05.1993 të Këshillit të Sigurimit të OKB për hetimin dhe gjykimin e krimeve të kryera në territorin e ish-Jugosllavisë nga janari i vitit 1991 me qendër në Hagë.

Ky institucion ka hetuar të gjitha krimet e luftës të kryera në territorin e Kosovës, pjesë e ish-Jugosllavisë, përfshi dhe faktin e mësipërm. Ka rezultuar që shumë autorë të këtyre krimeve janë dënuar ose janë duke u dënuar për këto krime në Hagë. Ndërsa lidhur me faktin e trafikimit të organeve, sipas informacioneve publike, nuk ka rezultuar asnjë provë e vetme pasi në rast të kundërt do ishin ngritur akuza dhe gjykuar persona konkretë.

Po sa hetimet e këtyre shteteve dhe institucioneve ndërkombëtare kanë qenë objektive, të plota dhe të gjithanshme? Për shkak dhe të profesionit nuk më lejohet të dyshoj rreth një konkluzioni të tillë duke qenë i bindur se hetimet i kanë plotësuar të tre kushtet.

Pas kësaj analize mund t’i japim përgjigje pyetjeve të mësipërme. Këshilli i Europës nuk është një institucion që bën hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në ish-Jugosllavi. Përgjegjës për këtë është Gjykata e Hagës. Ndaj, çdo të dhënë, evidencë ose dokument, qoftë dhe i Shërbimeve Sekrete, duhej të ishte kallëzuar dhe dorëzuar pranë kësaj Gjykate. Por fakti mund të kallëzohej dhe të dorëzoheshin të dhënat e mësipërme edhe pranë institucioneve të hetimit të çdo vendi anëtar të Këshillit të Europës, për shkak të afërsisë gjeografike me vendin e ngjarjes dhe interesit për të ndëshkuar autorët e një krimi të tillë që cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe shumë të rëndë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Atëherë z. Martin duhej të bënte një veprim të tillë dhe të priteshin përfundimet e hetimit ose gjykimit.

Ndërsa lidhur me faktin e dëmtimit të hetimeve ose humbjen e provave ose dokumenteve në këtë rast nuk ka vlerë të flitet, pasi ky fakt ka qarkulluar në mënyrë gazetareske dhe letrare që nga viti 2000.

Në rastin tonë kur një fakt i supozuar kriminal dhe pas të gjitha hetimeve nuk rezulton të provohet, a mund të përdoret për t’u raportuar në një institucion kaq të rëndësishëm europian? Natyrisht që jo, pasi humbet kuptimi dhe vlera e hetimit të një fakti që përbën krim, si dhe e institucioneve të hetimit dhe gjykimit të shteteve të veçanta, por dhe e Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi e krijuar posaçërisht për këtë funksion nga OKB.

Por a nuk po shkelet parimi themelor i procedimit penal dhe në të drejtën penale ndërkombëtare ai i prezumimit të pafajësisë? Me kryerjen e këtij veprimi, në mënyrë të dukshme shkelet parimi i prezumimit të pafajësisë, pra një person, një grup personash madje një shtet ndëshkohet, mbi bazën e një akuze të pavërtetuar në gjykatë.
Pse ndodh një veprim i tillë?

Si prokuror rezervohem t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Por ndoshta është detyrimi i z. Martin që disa nga këto pikëpyetje t’i marrë në konsideratë.

* Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›