Nuk ka ngrohje reduktohen oret e mesimit
Duke nisur nga sot, orët e mësimit në shkollat e mesme dhe ato 9-vjeçare do të reduktohen me 25 minuta më pak.
Të paktën kështu pohohet në udhëzimin më të fundit të bërë publik nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Ky urdhër erdhi fill pas argumentit të mungesës së sistemit të ngrohjes, të diskutuar gjerë e gjatë në faqet e gazetës “Shqip”. Ndonëse me ligj shteti duhet të sigurojë të gjitha kushtet e nevojshme, duke përfshirë edhe ngrohjen, për mbarëvajtjen normale të mësimit në shkollat e arsimit parauniversitar apo të lartë, në realitetin shqiptar ky do të ishte luks i tepërt. Kjo, për shkak se për vite me radhë është diskutuar mjaftueshëm për kushtet e mjerueshme që ofrojnë shkollat për sa i takon ngrohjes së klasave gjatë stinës së dimrit, por më e keqja është se ky argument ka rënë vazhdimisht në vesh “të shurdhët”. E megjithatë, duket se kushtet e përkeqësuara të motit gjatë javëve të fundit kanë prekur përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, e cila ka reaguar duke pohuar se orët e mësimit do të reduktohen me nga 25 minuta, nga 45 që zotëron secila lëndë në veçanti.
Burime nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se ky urdhër është i përkohshëm, pra do të zgjasë deri sa të largohet i ftohti, çka do të thotë se nuk ka një afat përfundimtar të “skadencës” së këtij udhëzimi.
ProblemiNxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme kanë kohë që kanë mbetur në mëshirë të “motit”, shprehja që qarkullon rëndom në radhët e të rinjve. Nëse ata do të “kërcëllijnë” dhëmbët nga i ftohti, apo do të kenë “luksin” të heqin xhupin gjatë mësimit, varet pikërisht nga temperaturat.
Një situatë mjaft problematike paraqitet në shkollën "Sami Frashëri". Edhe pse kjo është një nga shkollat më në zë të kryeqytetit, e rikonstruktuar disa herë, nxënësit ngrohen me frymët e tyre, për shkak të mungesës së sistemit të ngrohjes.
Nëse hedh një vështrim në shkollën “Kushtrimi i lirisë”, qindra nxënës të krijojnë përshtypjen e shitësve të vegjël të shkrepëseve, por në këtë rast edhe më keq, sepse ata nuk kanë asgjë për t’u ngrohur. Megjithatë, duket se kjo gjendje është pranuar në heshtje prej tyre.
Teksa i pyet se si arrijnë ta kryejnë procesin mësimor pa ngrohje, ata buzëqeshin dhe tregojnë me gisht nga aksesorët që i ndihmojnë të ngrohen, siç janë shallet, kapuçat apo dorezat. "Është shumë ftohtë, por nuk kemi ç’të bëjmë. Jemi me fat kur mësuesit nuk na urdhërojnë që t’i heqim ato, megjithatë, shumë të tjerë përpiqen t’i binden rregullores, duke na kërkuar që t’i heqim. Megjithatë, ka edhe nga ata mësues që përpiqen të shohin anën njerëzore dhe na lejojnë t’i mbajmë”, - thotë njëra prej vajzave, nxënëse e kësaj shkolle.
ReagimiNdonëse është fakt, ata nuk pranojnë të prononcohen, ose më saktë kërkojnë me këmbëngulje të mos identifikohen, nga frika se dikush mund ta lexojë apo dëgjojë publikisht deklaratën e tyre. Bëhet fjalë për stafin e mësuesve apo për drejtuesit, që edhe pse në vështirësi për të zhvilluar mësimin në kushte normale, janë të detyruar jo vetëm të punojnë në këtë mënyrë, por edhe të heshtin.
Njëzëri ata pohojnë se punojnë në kushte tejet të vështira, por si zakonisht nuk janë ata kompetentët për të gjetur zgjidhjen e kësaj situate alarmante.