Administrata ku ushtaret komandojne oficeret
Fillesa e këtij shkrimi niset nga shqetësimi që ka gazetari i njohur Mentor Kikia, njëkohësisht kryetar i “Alternativës Civile”, i cili ka lidhje me administratën publike në kuptimin e gjerë të saj, ku përfshihen nga nëpunësit e dikastereve qendrore dhe deri në edukatoret e kopshteve, lidhur jo vetëm me kualitetin e tyre, por edhe sa të prekshëm dhe epshëm kanë qenë dhe janë në këtë njëzetvjeçar të fundit, gjë që ndikon në performancën e shtetit dhe shoqërisë shqiptare në tërësi.
Në të vërtetë, problemet shqiptare fillojnë që me marrëdhëniet e udhëheqësve të tyre me shtetin dhe diferencën që qytetërimi shqiptar ka me atë perëndimor në raport me shtetin.
“Rex regnat, sed non gubernat” (“Mbreti mbretëron, por nuk qeveris”), ishin fjalët e Jan Zamojskit drejtuar mbretit të Polonisë, Suedisë dhe Dukatit të Lituanisë, Sigismundi III, i cili mbretëroi në vitet 1587-1632, të asaj që ne e quajmë Mesjetë e Vonë. Ky mbret trashëgonte nga nëna edhe titullin e Mbretit të Jerusalemit, ose siç quhej “Mbreti i Mbretërve”, e megjithatë dikush i doli përpara duke i vënë kufirin se deri ku mund të shkonte, duke artikuluar fjalë lapidare në historinë e emancipimit të shoqërisë. Dhe, ja tha pikërisht njeriu nga i cili më pak e priste t’i vinte kufizimi, pasi për t’i ruajtur fronin kishte luftuar dhe fituar si komandant i trupave të tij në betejën e Pitshenit.
Një kurajë që të zileps edhe në ditët e sotme e hetmanit Zamojski, për t’i thënë këto fjalë mbretit që zotëronte gjysmën e Europës, por shija e hidhur që na mbetet në gojë ka lidhje me faktin se mbas gati 500 vjetësh, sot ka njerëz me prejardhje aspak fisnike në kuptimin mbretëror; të vendosur në krye të vendit me votë, si një proces që edhe formalisht nënkupton barazinë e njerëzve, që nuk mund t’ua thuash, pasi në këto rajone qeverisja nënkupton mbretërimin.
Duke ardhur më tëhu në histori, kemi mësuar se në vitin 1848, Europa mori flakë nga revolucionet që plasën nga veriu i saj, deri në Palermon që qeverisej nga Mbretëria e Napolit. Kontinenti, megjithëse kishte kaluar një operacion të përgjakshëm si ai i luftërave napoleonike, ende nuk ishte ndarë në shtetet moderne që njohim sot, por qeverisej nga sundimtarë që kontaktet me të qeverisurit e tyre i mbanin në mënyrë direkte ose nëpërmjet fisnikëve të emëruar prej tyre. Nga kjo kanë marrë udhë përrallat me mbretërit e mirë, por edhe revolucionet që iu dhanë leksionin se duhej formuar një aparat, i cili në tërësinë e tij të trupëzonte shtetin dhe të përbëhej nga shërbime të tilla si policia, ushtria, financat, diplomacia dhe administrata publike. Secila nga këto shërbime do ishte e trupëzuar nga specialistë të shkolluar dhe besnikë ndaj trupës dhe ndaj shtetit. Dhe, se sa krenarë ishin këta pjesëtarë për shërbimin ku militonin, shpesh na e ka treguar letërsia e kësaj kohe me personazhet e saj. Vërtetë, herë me tone gri si Çehovi; tragjike si Dostojevski, groteske si Mopasani a të ftohta si Dikensi, por në fund të fundit ishte një aparat pa të cilin askush nuk mund të bënte.
Kalimi i viteve, edhe në Europën e trazuar nga lëvizjet e mëdha sociale, dha shembuj se si partitë politike kishin dëshirë të nakatosnin duart në këto aparate, por në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, gati të gjitha forcat politike u bënë të ndërgjegjshme se pa një administratë civile profesioniste dhe të sigurt në vendin e saj të punës, nuk ka prosperitet. Sigurisht, në vende mesdhetare si Italia dhe Greqia, ende vlen rekomandimi partiak për të filluar punë, duke mbyllur njërin sy për kriteret e pranimit, por pasi bëhesh pjesë e trupës, askush nuk është i përjashtuar nga detyrimet e trajnimet, ashtu sikurse është i mbrojture nga pushimet abuzive nëse nuk është më në fuqi partia që e ndihmoi.
Gjithashtu, shekulli i kaluar, qoftë në mendësitë e qeverisësve, qoftë në teoritë ekonomike, zhvlerësoi konceptin leninisto-stalinist që stigmatizonte burokracinë dhe lëvdonte një administratë të pakët, pasi vetë praktika dhe ekonomia vërtetuan se një administratë e mirëtrajnuar rrit produktivitetin e shoqërisë, funksionimin e saj ritmik dhe lehtëson punët e shtetasve që qeveris. Mjaft të mendosh se Franca ka 5.5 milionë nëpunës në pension dhe po aq operativë në detyrë, pra gati 1 ndër 5 francezë është nëpunës i shtetit, për të kuptuar se sa i rëndësishëm është burokrati, i anatemuar nga kultura leniniste dhe dishepujt e saj.
Sa më sipër, duhej të ishte një shembull edhe për Shqipërinë, aq më tepër që vendi ynë i kishte të gatshme eksperiencat perëndimore dhe nuk trashëgonte ndonjë administratë të ekzagjeruar, por fatkeqësisht praktika e njëzet vjetëve ka treguar se është e vështirë të ngresh në këtë vend një shërbim civil, pasi babëzia e militantëve kërkon pikërisht këto vende pune në administratë, pasi mund të përdoren si shteg pasurimi abuziv dhe ku me anë të sloganeve dhe lidhjeve politike mund të fshehësh injorancën profesionale. Çdo zgjedhje dhe ndërrim kuajsh në pushtet, sjell tek ne fatkeqësisht ndërrimin e administratës në përmasa gati transfuzionale.
Nuk është çudi që një inxhinier të komandojë njerëzit e kulturës dhe t’i thotë këmbës dorë; një jurist t’u japë mend inxhinierëve si ndërtohet; një oficer t’u bëjë talim juristëve, e kështu me radhë. Megjithëse gjatë viteve 1999-2005, nën presionin e Bankës Botërore, u miratuan ligje dhe kode që përpiqeshin të siguronin ndërtimin e një administrate publike profesionale dhe të siguruar në karrierën e saj, gjenia shqiptare në gjetjen e shtigjeve për t’u kaluar nën të ligjeve, ka qenë e pashtershme. Sot nuk ka statistika, por fatkeqësisht mund të jetë e vërtetë që vetëm 10 % e administratës mund të ketë 20 vjet punë në shtet pa shkëputje, dhe këta quhen veteranë, në një kohë që në botë është stazhi i nevojshëm pas të cilit mund të fillosh karrierën në pozicione komanduese. Por përveç kësaj urie në eksperiencë, që sjell edhe një mungesë të frikshme kujtese institucionale, është fenomeni i lidhjeve politike, që sjell si pasojë (duke folur në kuptimin figurativ), komandimin e oficerëve nga ushtarët. Tashmë është bërë praktikë që një njeri pa lidhje me sektorin ku aspiron të punojë, ta kërkojë një vend pune të caktuar për arsye pragmatiste; gra me etje për karrierë, bashkëshorte të burrave me pozitë ose fëmijë të familjeve të fuqishme, por me të dhëna të dyshimta, lakmojnë vendet drejtuese të administratës publike, pavarësisht kapaciteteve që kanë, duke i përdorur si stoli në biografitë e tyre, por pa një përmbajtje ose arritje reale profesionale të shënuar.
E gjitha kjo politikë partiako-klienteliste-nepotike, dhe pasiguria në të ardhmen, ka sjellë jo vetëm spostimin e dhunshëm të specialistëve të mirëfilltë dhe largimin e tyre drejt sektorit privat, por mbizotërimin në sektorin publik të mediokritetit. Për situatën është i vetëdijshëm publiku, dhe këtë e tregojnë shembujt ose barsoletat e ndryshme të buruara nga realiteti për policët, doganierët, tatimorët, nëpunësit e administratës publike e më gjerë.
Për çdokënd që mundohet të hedhë poshtë këtë situatë, e përgënjeshtron qenia e vendit tonë i fundit në çfarëdo fushe në garën europiane, qoftë të hyrjes në BE apo të nivelit ekonomik, shëndetësor, ushtarak etj., çka tregon se trajneri, pra administrata publike është për faqen e zezë, fatkeqësisht për faqen tonë të zezë.
Por, cila mund të jetë rrugëzgjidhja? Si mund të stabilizohet kjo administratë, duke u bërë atraktive edhe për elementët e trajnuar në Perëndim? Kjo, pavarësisht se mund të duket e lehtë për t’u përgjigjur, në realitet është e kundërta. Por, bëhet e domosdoshme për t’u gjetur e sakta, jo vetëm për të ndihmuar shoqërinë në tërësi, por edhe profesionistët të cilët ende besojnë tek shërbimi civil. Dhe, duke ditur se karriera në shërbimin publik ka tri faza kryesore, që janë pranimi, promovimi dhe përjashtimi nga ky shërbim, le të shohim tangencialisht ndonjë ide se si mund të bëhet më e mira, duke qenë të vetëdijshëm se nuk është më e mira.
Së pari, duhet të kërkohet zbatimi rigoroz i rekrutimit me konkurs serioz, dhe jo si deri më tani, ku pranohen me kontrata provizore, pastaj zhvillohet një konkurs formal ku i paracaktuari për fitore, thërret në konkurs edhe dy bedelë, shokë të tij të paracaktuar për humbje. E ç’është më e rëndësishmja, zbatimi i ligjit të kontrollohet nga një komision mbi palët.
Së dyti, promovimi duhet të bëhet mbi kritere dhe afate rigoroze vjetërsie, ndërsa emërimi në poste drejtuese të bëhet me konkurs me shkrim e gojë, dhe jo me konkurrim dosjesh, siç është deri më sot, i cili dihet se si përfundon. Komisioni i pranimit të jetë i përbërë nga specialistë të fushës. Gjithashtu, për raste favorizimi duhet të ketë sanksione, përndryshe pa të tilla, një ligj në terrenin shqiptar është vetëm çamçakëz në gojën me dhëmbë të krimbur të dallaveres.
Së treti, dhe më e rëndësishmja, ka të bëjë me mbrojtjen e punonjësit nga largimi nga puna, që shfrytëzohet nga drejtuesit partiakë për të liruar vende për militantët.
Në eksperiencën europiane, një emancipuese e punëmarrësve kanë qenë sindikatat, të cilat luftonin për mbrojtjen e punonjësve dhe prosperimin ekonomik të tyre. Thuhet kanë qenë, pasi aktualisht shoqëritë perëndimore kanë një strukturë që vetëm 22-25 për qind përbëhen nga klasa punëtore në kuptimin klasik të fjalës, ndërsa diferenca përbëhet nga punonjës të shërbimeve. Sot nuk ekzistojnë më shoqëritë e as 20 vjetëve më parë, dhe pushteti gjyqësor është bërë tashmë një nga pushtetet që mbron të drejtat e qytetarëve, përfshirë edhe atë të punës. Nëse fiton konkursin për të qenë drejtor në një strukturë të caktuar, asnjë autoritet nuk mund të ta tjetërsojë, ndërsa që të të pushojnë nga puna, duhet që Perëndia të të marrë mendjen e t’i vësh flakën ndërmarrjes. Por, në rastin shqiptar ky pushtet është i ngadalshëm, dhe fatkeqësisht nuk ka fuqinë të detyrojë pushtetin politik. Dhe, ndoshta është kjo pika ku duhet ngulmuar më fort që të sigurohet një administratë afatgjatë dhe e qëndrueshme: Largim nga puna dhe lirim të postit vetëm mbas një vendimi gjyqësor të formës së prerë, dhe jo si e ka deri më tani legjislacioni shqiptar, që të largojnë një herë nga puna, e pastaj edhe nëse fiton gjyqin, drejtuesi nuk mund të detyrohet që të rimarrë të pushuarin në punë, dhe as nuk paguan sanksion për dëmin ekonomik dhe psikologjik që i ka shkaktuar viktimës. Mendoni një polic, oficer, infermiere, mësues a nëpunës, që gjithë jetën ka bërë këtë punë dhe papritur, në moshën pesëdhjetë vjeçare e gjen veten të pushuar nga puna, pa rrogë dhe mundësi fizike e kohore që t’i japë jetës së tij një drejtim tjetër; si ndihet një kryefamiljar që e pushon nga puna një spurdhjak që të vetmen meritë në jetë ka që është një langua i bindur i eprorit të tij!
Gjithashtu, një shpikje tjetër shqiptare është reforma e institucioneve, ku nën pretekstin e reformimit ose ristrukturimit të tij, spastrohet institucioni, dhe pas ristrukturimit del që janë prishur kazanë për të bërë kanoçe në kuptimin e efektivitetit të institucionit, por është arritur qëllimi i drejtuesit, pasi janë hequr të punësuarit e vjetër dhe janë sjellë militantët ose klientët e tij.
Ligjet që rregullojnë shërbimin civil dhe të punës janë marrë nga Europa, por në implementimin shqiptar ju është hequr pjesa shtrënguese që i bën të detyrueshme për zbatim, duke i hequr pikërisht atë limfë që i bën jetësore, ose kur është, anashkalohet nga një pakt i pashprehur midis forcave politike, me idenë që sot e bën ti, nesër do ta bëj unë. Siç më thoshte një jurist ynë i njohur dhe me eksperiencë të gjatë në funksione te larta teknike shtetërore, që ka punuar për disa nga këto ligje: “kur ju kishte kërkuar konsulentëve të tij perëndimorë që duhet të parashikoheshin edhe sanksione për drejtuesit që nuk zbatonin vendimin e gjykatës për kthimin në punë të punonjësve të pushuar, këta ishin habitur dhe ishin përgjigjur se nuk mund të parashikonin dhe nuk dinin si ta aplikonin një gjë që në botën e qytetëruar, është një fakt i pa përfytyrueshëm se si një person i cili është vetëm administrator i përkohshëm i një posti shtetëror, nuk i bindet pushtetit gjyqësor”.
Se cila do jetë zgjidhja, përveç emancipimit shoqëror, me siguri që kërkon një paketë të plotë e të kujdesshme ligjore, e konceptuar posaçërisht për terrenin shqiptar, të pangjashëm me asnjë në botë, por që duket e domosdoshme në stadin aktual, pasi me sa duket shoqëria shqiptare është ende nën traumat që ka pësuar në 500 vjet pushtim otoman dhe 100 vjet shtet i pastabilizuar shqiptar, dhe e ka të vështirë të reagojë në mënyrë spontane dhe shkëputet nga mentaliteti levantin.
Çian Çing, e veja e Mao Ce Dunit, ka thënë se: “Kërkova dashuri dhe u vela; kërkova para dhe u ngopa; kërkova pushtet dhe nuk u ngopa kurrë, pasi nuk ka kënaqësi më të madhe se sa të manipulosh fatet e njerëzve”. Në këto kushte, kur pushteti dhe ushtrimi i tij shpesh kthehet në një drogë, mbase ligje të tilla rigoroze do bëjnë një administratë të paprekshme nga politika, duke na shpëtuar kështu nga injoranca që do të zërë vendet, por edhe nga drejtuesit politikë vanitozë, që duke parë se nuk mund të bëjnë më Zotin e plotfuqishëm që ka fatin e njerëzve në dorë, të mos merren me politikë, por me punë që ju përshtaten.