Moshipotekimi i apartamenteve, replika Dhimitri – Bisha
TIRANË- Moshipotekimi i shumicës së apartamenteve të reja në Tiranë, ka qenë objekt i replikave dje mes nënkryetares së Bashkisë së Tiranës dhe zëdhënëses së fushatës elektorale të Lulzim Bashës. Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Albana Dhimitri, akuzoi qeverinë se ka lënë pa hipotekë 400 pallate në Tiranë, leja e të cilave është depozituar tek ALUIZNI. Sipas saj, ka 400 dosje me shkelje të lejes së ndërtimit, të depozituara tek ALUIZNI, të depozituara që prej vitit 2008. “Ndërkohë që sot, Lulzim Basha apo Sali Berisha, duhet tu japë shpjegim qytetarëve të interesuar, pse Hipoteka nuk u jep tapinë e apartamenteve, sepse 2/3-at e këtyre dosjeve i kanë kaluar procedurat e ALUIZNI-t, por deri më sot hipoteka nuk ka kryer hipotekimin e tyre", - tha ajo. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Anila Bishës, zëdhënëses së fushatës së kandidatit për kryebashkiak, Lulzim Basha. “Edi Rama tregoi edhe një herë sot se nuk ka fuqi të shkëputet nga politika e vjetër, e fajësimit të të tjerëve dhe largimit të përgjegjësive që i takojnë. Moshipotekimi i apartamenteve ka ndodhur sepse Edi Rama ka qenë gjithë këto vite pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes. Moshipotekimi ka ndodhur nga bllokimi abuziv dhe jo transparent, që Edi Rama u ka bërë lejeve të shfrytëzimit, dhe kjo nuk ka lidhje me legalizimin. Lulzim Basha është ndryshe. Ai do të zhbllokojë ngërçin e lejeve të shfrytëzimit. Dhe si kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës, do të pajisë me certifikatën e pronësisë, brenda datës 15 nëntor 2011, të gjithë bashkëqytetarët tanë që e vuajnë këtë problem prej vitesh”, - tha ajo.