E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse Berisha s’ka fuqi të kthejë mbrapsht vendimin e Topallit

Nga Mero Baze

Debati rreth përjashtimit flagrant të deputetit Biberaj nga kreu i delegacionit shqiptar në KE do të marrë të enjten një përgjigje përfundimtare në Strasburg, por efekti i tij real nuk është atje. Megjithëse shumë politikanë po përpiqen t’i mëshojnë idesë se kjo prish imazhin e Shqipërisë në Strasburg, realisht ky rast prish maskën false të paqes brenda PD dhe fillimin e luftës së bërrylave për t’u shtyrë drejt listës së re të deputetëve. Është shumë e qartë se gjesti është bërë pa lejen formale të Berishës. Kjo u pa qartë nga mënyra se si kryetarja Topalli nxori ca shkresa agjencish turistike për të justifikuar veprimin. Nëse do të ishte konsultuar më parë me të, do të ishte aq arrogante, sa dhe shkresa që nuk thonë asgjë, nuk do të nxirrte. Por është po aq e vërtetë se veprimi është qartësisht i certifikuar nga kryeministri Berisha, pasi është brenda logjikës së tij politike. Edhe pse ka vepruar me iniciativë për “t’i bërë dhuratë kryetarit” kokën e Biberajt, në këtë rast, një deputet i identifikuar larg sofrës së pushtetit, Topalli e ka llogaritur se Berisha nuk bënte dot hap mbrapa. Pikërisht duke njohur këtë logjikë politike të Berishës, ajo ka ndezur fitilat e një lufte, e cila do të sjellë ndoshta zhvillime të reja brenda PD para zgjedhjeve.

Berisha nuk është i lirë të kthejë mbrapsht vendimin e Topallit, pasi së pari nuk do të tregojë te mbështetësit e vet apo opinion publik se dikush brenda partisë vepron dhe pa e pyetur atë. Edhe pse në këtë rast veprimi është një shenjë e fortë servilizmi dhe nënshtrimi politik, sërish ai nuk e do këtë dhuratë. Ideja që një vartës i tij ka bërë një gjest pa e pyetur atë, e mundon më shumë sesa efekti shkatërrues që ka për imazhin e Shqipërisë ky veprim.

Berisha nuk është i lirë të kthejë mbrapsht vendimin e Topallit dhe për një arsye tjetër. Nëse do t’ia bënte këtë, autoriteti i saj do të shfryhej si një tullumbace dhe nuk ishte çudi që ajo të shkarkohej para zgjedhjeve nga vota e deputetëve të PD. I zënë ngushtë nga veprimi i shpejtë i Topallit, ai me siguri është mjaftuar me një ulërimë për Topallin që s’e ka dëgjuar askush tjetër veç atyre të dyerve të mbyllura në një zyrë, dhe është qetësuar.

Por mbi të gjitha, Berisha nuk është i lirë ta kthejë mbrapsht vendimin e Topallit, se një njeri që shkel një rregull, nuk mund të jetë i lirë. Ai ka hyrë në spiralen e shkeljes së ligjit në çdo segment të pushtetit të tij. Ka shkelur Kushtetutën, ka shkelur kompetencat e kryeministrit, ka shkelur vendimet e qeverisë, ka shkelur ligjet e thjeshta, ka kapur shtetin, ka hedhur poshtë vendime gjykatash, pra ka një histori të tërë me shkelje ligji. Duke pasur këtë histori, ai nuk është i lirë të rikthejë autoritetin e së drejtës dhe ligjit. Pasi, nëse do ta bënte këtë për Biberajn, do t’i duheshin ditë të tëra të rikthente gjithçka që ka bërë keq këto katër vjet. Do t’i duhej të rikthente VKM për rrugën Rrëshen- Kalimash, vendimet për Gërdecin, tenderët e Fazlliçit, do t’i duhej të zbatonte vendimin e gjykatës për gazetën “TemA”, madje do t’i duhej të dënonte me dhimbje dhe ata që hodhën në erë makinën time. Nuk i bën dot këto gjëra. Nuk i rikthehet më historisë së ligjit, nuk e përballon dot tërheqjen nga një padrejtësi, pasi është futur në spiralen e tyre. Ndaj dhe nuk mund ta hedhë poshtë vendimin e Topallit për Biberajn. Është i pafuqishëm të rikthejë ligjin dhe drejtësinë në këtë vend. Mbi të sundon epshi i pushtetit dhe krenaria e burrit që nuk tërhiqet, dhe kur është duke shkuar drejt greminës. Kostoja ndërkombëtare që merr nga një idiotësi e Jozefina Topallit është kolosale, por ai s’do t’ia dijë. Mjafton që dikush në botë të thotë, qenka burrë, nuk u tërhoq. Kostoja që po merr nga bllokimi me policë i gazetës “TemA” është kolosale. Nuk do t’ia dijë, mjafton që dikush në shtëpi t’i thotë mirë ua bërë atyre gazetarëve që i kanë dhënë shumë gojës. Kostoja ndërkombëtare që po merr nga konfrontimi me institucionet e drejtësisë në Shqipëri është e pallogaritshme, por nuk tërhiqet, mjafton që dikush t’i thotë, ti je mbi të gjithë. Këto epshe pushteti sundojnë sot mendjen e tij dhe e bëjnë atë një kryeministër qesharak, që në përpjekje për të mbuluar mungesën e autoritetit të tij brenda partisë, është gati t’i vërë flakën imazhit të Shqipërisë dhe vetë pushtetit të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›